Reforma e arsimit në Kamenicë, dy betejat që Kastrati i fitoi përballë Rrahimajt e Nagavcit

HomeLokale

Reforma e arsimit në Kamenicë, dy betejat që Kastrati i fitoi përballë Rrahimajt e Nagavcit

Ish-kreu i Komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati, ka fitur dy beteja përballë ish-partisë së tij që ia sfidoi reformën e arsimit në vendlindje.

Veprimtaria e veteranëve të Gjilanit duhet të njihet gjerësisht, ashtu sikurse historia e këtij qyteti.
Luta merr mbështetje rekorde edhe nga 2 Korriku: Në mandatin e ri do ta ndërtojmë shtratin e lumit Stanishorka
VV prezanton të gjithë kandidatët për asamble komunale: Lista fituese

Ish-kreu i Komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati, ka fitur dy beteja përballë ish-partisë së tij që ia sfidoi reformën e arsimit në vendlindje.

Në mars kishte fituar rastin në Gjykatën Themelore të Prishtinës përballë kryetarit aktual, Kadri Rrahimajt, derisa dje ka fituar rastin në Gjykatë Kushtetuese përballë ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, pasi kjo e fundit iu përzie Komunës në organizimin e mësimit. Por çfarë synonte reforma që për kaq vite u bë një nga temat më të diskutuara.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur dje se ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka shkelur Kushtetutën me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hudhte poshtë reformën e ndërmarrë nga Qëndron Kastrati.

“Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të 23 prillit 2021 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (në tekstin e mëtejmë: MASHTI). Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Kamenicës bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.01B/24] i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Por, çfarë kishte për qëllim reforma në arsim e nisur nga Kastrati?

Sa ishte kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati pati nisur reformën në arsim përmes fuzionimit të shkollave.

Kastrati thoshte se kjo do bëhej për edukim më të mirë të fëmijëve. Ai tregonte se si në Kamenicë janë gjashtë objekte shkollore me më pas se pesë nxënës, teksa bënte të ditur se ka të tjera që kanë më pak se 20 e 60 nxënës.

‘Është e rëndësishme për këta nxënës që të socializohen. Kemi raste konkrete kur prindi tregon se është në klasë vetëm në 2-3 nxënës dhe e kanë problem. Prindërit që kanë nxënësit në këto shkolla janë pro kësaj ideje. Mbi 50 për qind të kurrikulës nuk mundesh me e arrit nëse numri është i nxënësve është shumë i vogël”, deklaronte Kastrati.

E kjo reformë u kundërshtua nga disa prindër dhe banorë të Kamenicës.

Kjo pasi banorët nuk donin që nxënësit që ishin më pak në klasa në fshatra , të transferoheshin në qytet për t’i ndjekur mësimet.

E në disa shkolla nuk u mbajt fare mësim për vitet sa reforma në arsim e Kastratit ishte në fuqi.

Vendimi i Nagavcit për reformën në arsim në Kamenicë

Ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci me 28 prill të vitit të kaluar  në një postim në “Facebook”, pati deklaruar se për shkak të kësaj reforme nxënësit në Kamenicë e kanë humbur mësimin për pothuajse dy vite.

Ajo mori vendim që nga 5 maji i 2021 të rifillojë mësimi për 441 nxënës të pesë fshatrave të Kamenicës.

“Të drejtën për mësim duhet ta gëzojnë të gjithë, pra edhe nxënësit e Kamenicës. Nga data 5 Maj, do t’a rifillojnë mësimin 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës sipas Vendimit të Ministrisë së Arsimit për Organizimin e Mësimit Alternativ të Përshpejtuar…Pasojat e humbjes së mësimit për nxënësit fatkeqësisht janë evidente dhe të shumfishta. Angazhimi i të gjithë neve, secili vendim e veprim duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve”, pati shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

E për nder të këtij vendimi të Nagavcit, një klase të një shkolle në Kamenicë iu vu emri i saj.

Këtë vendim të Nagavcit, Kastrati e patri cilësuar hakmarrje politike për shkak se ai e la VV-në dhe iu bashkua PSD-së.

Çfarë ndodhi pasi Kastrati i humbi zgjedhjet lokale?

Pikërisht reforma në arsimi mendohet të jetë arsyeja që Qëndron Kastrati i humbi zgjedhjet lokale të tetorit të vitit të kaluar.

Ato i fitoi kandidati i VV-së, Kadri Rahimaj, ndonëse pak kush e priste këtë rezultat.

E me të ardhur në krye të komunës Rahimaj e shfuqizoi pjesërisht reformën e nisur nga Kastrati, në pese shkolla të qytetit.

“Shfuqizimi i këtyre vendimeve u bë duke u bazuar në propozimin vendimin e DKA-së se në cilat shkolla sipas gjendjes faktike në terren nuk është duke u zhvilluar mësimi, si pasojë e mospajtimit rreth riorganizimit dhe transferimit të nxënësve në shkolla tjera. Në këto shkolla procesi mësimor nuk është zhvilluar nga data e marrjes së vendimit për riorganizim të arsimit e deri më sot”, thuhej tutje në njoftim.