Bislimi paralajmëron: Kjo do jetë paga minimale në Kosovë

HomeLajme

Bislimi paralajmëron: Kjo do jetë paga minimale në Kosovë

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar se paga minimale në Kosovë do të rritet në 250 euro. Megjithatë, theksoi se e njëjta nuk duhet

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar se paga minimale në Kosovë do të rritet në 250 euro. Megjithatë, theksoi se e njëjta nuk duhet të jetë pengesë në krijimin e vendeve të punës për punëtorët me produktivitet të ulët.

Në prezantimin e studimit, “Perspektiven e Përgjithshme: Agjenda Progresive Ekonomike për Kosovën” nga Zyra e Fondacionit Gjerman Friedrich Ebert (FES), Bislimi, tha se grupet që diskutojnë për pagën minimale duhet të jenë ekspertë dhe jo grupe të interesit. Sipas tij, nuk mund të kenë interes sindikatat për pagën minimale, pasi siç tha s’ka asnjë logjik që dikush të hyjë në sindikatë, kur merr pagën minimale.

Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili kërkoi nga ekzekutivi politika progresive. Ai foli edhe për rolin e sindikatave në shoqëri, ku tha se fuqia e tyre në ekonominë moderne është zhdukur.

“Sindikatat gjermane kanë qenë pothuajse kundër pagës minimale, por parametrat ndryshojnë sepse fuqia e sindikatave u zhduk në ekonominë moderne, si në “gig” ekonominë, ekonomia e përbashkët, këta njerëz nuk janë të sindikalizuar, dhe këtë vit, qeveria e re e zgjedhur socialdemokrate do të rrisë paga minimale në Gjermani për njëzet për qind, sepse është treguar se fuqia e sindikatave nuk është më aq e fortë, ngase miliona njerëz mund të konkurrojnë ose kanë të ardhura të mira në tregun e punës. Mendoj se duhet parë, se çdo vend ka situata të ndryshme, por mendoj se është e rëndësishme që qeveria ka nevojë për të ardhura, pa dëmtuar ekonominë. Uroj që Qeveria në Kosovë të ketë vullnet politik për të përmbushur politikën progresive e cila përmban elemente të parashtruara në studim”, theksoi ai.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Kosova ka nevojë për politika që promovojnë barazinë dhe drejtësinë sociale.

E njëri ndër hartuesit e studimit të FES, Edison Jakurti tha se më e rëndësishme se vlera e pagës minimale janë parametrat që synohet me atë.

Mes tjerash në këtë tryezë diskutimi u theksua nevoja edhe uljen e shkallës së papunësisë në Kosovë./