Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kabinetin e tij qeveritar do të mbajnë sot mbledhjen e radhës, raporton Gazeta Sinjali.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kabinetin e tij qeveritar do të mbajnë sot mbledhjen e radhës, raporton Gazeta Sinjali.
Nuk është bërë i ditur rendi i ditës i mbledhjes së sotme, e cila pritet të fillojë në orën 10:00.
Megjithatë, pritet që në këtë mbledhje të bëhet publik koeficienti i pagave, i cili ka mbetur mister që nga miratimi i Ligjit për Paga.
Ligji, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka përfshirë vlerën e koeficientit, e cila përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit.
Si i tillë, Ligji është dekretuar tashmë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare.
Kurti në dhjetor kishte deklaruar se në muajin janar do ta zbulojë vlerën e koeficientit të Ligjit që do të hyjë në fuqi edhe katër ditë, më 5 shkurt.
“Kemi marrë kohë më shumë se që është dashur. Duke pas parasysh përvojën e parë që herën e parë na u hodh poshtë, nuk kemi dashur të nxitohemi. 745 milionë euro është totali. Për ne, pikënisja është tërësia, jo pjesa, jo elementi. Nuk e kemi pas si pikënisje vlerën e koeficientit, por si tërësi”, deklaronte ai.
“Në janar do të vendoset vlera e koeficientit, nuk mund ta përcaktojmë koeficientin me Ligjin e Pagave, por me buxhet. Po kërkoj pak durim prej juve, saktësisht në janar të vitit 2023”- kishte thënë Kurti.
Aktualisht, paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 480 euro në muaj.
Përfaqësues të punëtorëve kritikojnë Qeverinë për mospublikimin e vlerës së koeficientit dhe mospërfshirjen e saj në ligj.
Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve sillet nga 2 deri në 18 – më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit. Më i ulëti, ndërkaq, u takon pozitave si: rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.
Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.
Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë edhe projektligjin që do t’i hapte rrugë rritjes së pagës minimale, por nga qershori i vitit të kaluar – kur ka ndodhur kjo – nuk ka pasur ndonjë zhvillim tjetër.