Drita nuk njeh rival, fiton edhe tek Dukagjini

HomeSport

Drita nuk njeh rival, fiton edhe tek Dukagjini

Drita ka vazhduar me fitore, derisa ka marrë të tretën radhazi në Albi Superligë. Lideri aktual i kampionatit tonë ka mposhtur në udhëtim Dukagjinin

Christensen refuzon skuadrat angleze, Barça dhe Bayern kryesojnë garën për danezin
Reagon kryetari i Gjilanit pas ndërprerjes së ndeshjes mes Gjilanit dhe Ballkanit
Alban Hyseni tregon pse kanë ngecur punimet në stadiumin e qytetit në Gjilan

Drita ka vazhduar me fitore, derisa ka marrë të tretën radhazi në Albi Superligë.

Lideri aktual i kampionatit tonë ka mposhtur në udhëtim Dukagjinin e Klinës me rezultat minimal 0-1.

Goli i vetëm për gjilanasit erdhi në minutën e gjashtë, kur kapiteni Ardian Limani shënoi.

Mbrojtësi qendror lëshoi një goditje fantastike nga një distancë prej 35 metrave duke dërguar topin në rrjetën e Kenan Haxhihamzës për 0-1.

Ka qenë një ndeshje me shumë raste pas golit të gjilanasve, ku rrezikuan si vendasit ashtu edhe mysafirët.

Megjithatë 45 minutat e para të kësaj sfide u mbyllën me epërsinë e Dritës 0-1.

Vendasit ishin më kërkues në pjesën e dytë, derisa Drita gjithë fokusin e kishte në mbrojtje për ta mbrojtur rezultatin.

Gjithsesi portieri gjilanas, Faton Maloku bëri disa pritje fantastike duke shpëtuar portën e gjilanasve.

Vlen të përmendet se në fund të ndeshjes, mbrojtësi i Dritës, Besnik Krasniqi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.

Deri në fund Drita mbrojti shumë mirë rezultatin dhe arriti fitoren e tretë radhazi, ku mbetet lider me 27 pikë, derisa Dukagjini është në vendin e nëntë me tetë pikë.

Ndeshjen e ardhshme Drita e zhvillon në shtëpi me Prishtinën, derisa Dukagjini luan në udhëtim te Llapi. /Telegrafi/