Eksperti i komunikacionit e gjen fajtor të akuzuarin për aksident me pasoja fatale në Malishevë të Gjilanit

HomeLajme

Eksperti i komunikacionit e gjen fajtor të akuzuarin për aksident me pasoja fatale në Malishevë të Gjilanit

Në Gjykatën Themelore në Gjilan është dëgjuar eksperti i komunikacionit, Gazmend Ukshini, i cili në seancës gjyqësore ka deklaruar se distanca në të c

A duhet të protestohet ndaj qeverisë për shtrenjtimin e rrymës?
Arrestohet dy persona për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”
Presidentja Osmani në Turqi flet për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Në Gjykatën Themelore në Gjilan është dëgjuar eksperti i komunikacionit, Gazmend Ukshini, i cili në seancës gjyqësore ka deklaruar se distanca në të cilën ka qenë duke vozitur me biçikletë i ndjeri ka qenë në parametrat e lejuar kur është goditur me veturë nga i pandehuri, Shpend Isufi, i cili më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes, duke mos i dhënë ndihmën e parë të aksidentuarit.

I pandehuri Isufi, po akuzohet nga prokuroria se ka vepruar në kundërshtim të nenit 53.1 që ka të bëjë me mospërshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes kushteve atmosferike dhe kushteve të rrugës për ta ndalur automjetin para çdo pengese të paraqitur në trafik, duke e goditur mbrapa në rrotën e pasme biçikletën të cilën e drejtonte i ndjeri S.Z., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari i vetëm gjykues, Rilind Sermaxhaj, ka njoftuar se në seancën e sotme mungojnë dëshmitarët Shefik Zeneli, Ramadan Vranja dhe Xhevat Ejupi, të gjithë të ftuar në mënyrë të rregullt nga ana e gjykatës, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar, ndërsa për dëshmitarin Xhavat Ejupi, gjykata nuk ka dëshmi që e ka pranuar ftesën.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdon me fjalën hyrëse të palëve, pasi që i pandehuri nuk e ka pranuar fjalësin.

Prokurori i shtetit, Shefik Memeti, në fjalën hyrëse ka kërkuar nga gjykata që lidhur me këtë çështje penale kundër të pandehurit Shpend Isufi, të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor, të administrohen provat në mënyrë që të vërtetohet se veprat penale ekzistojnë dhe kryerësi është Shpend Isufi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shpend Isufi, avokati Ymer Huruglica në fjalën hyrëse ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohen si shpejtësia ashtu edhe lëshimet eventuale nga ana e drejtuesit të biçikletës.

I pandehuri ka deklaruar që e mbështet në tërësi fjalën hyrëse të avokatit.

Seanca ka vazhduar me deklaratën e ekspertit të komunikacionit, Gazmend Ukshini, duke thënë se ngasësi i biçikletës ka qenë duke e drejtuar atë në skajin e djathtë të rrugës dhe nuk ka pasur shirit të veçantë për biçiklist.

Ai tutje ka thënë se në bazë të provave të cilat i kam marr në shkresat e lëndës, janë analizuar deformimet në automjete, largësia e lëvizjes së biçiklistit dhe po ashtu një rëndësi e veçantë i është kushtuar video ingjizimit të rrjedhjes së aksidentit ku është marr një distancë e caktuar e rrugës e cila ka përfshirë 19.2 metra distancë dhe në bazë të trajektores së lëvizjes së automjetit është caktuar  shpejtësia.

Në pyetjen e avokatit Huruglica se a ka qenë e arsyeshme për ta drejtuar biçikletën në atë kohë, eksperti është përgjigjur se ngasësi në mungesë të shtegut për biçikleta ka lëvizur në skajin e djathë të rrugës, në pjesën e përparme ka pasur të vendosur dritë me ngjyrë të bardhë.

Eksperti tutje ka deklaruar se ngasësi i automjetit ka qenë i obliguar ta mbajë distancën anësore, sepse ky tejkalim i tillë është i pamundur, prandaj duhet të ketë kujdes të shtuar duke  i shikuar edhe rrethanat e tjera.

Eksperti ka thënë se, “distanca në të cilën ka qenë duke vozitur me biçikleta i ndjeri prej 0.4 metra nga skaji i djathë ka qenë brenda parametrave të lejuara, sepse në mungesë të shtegut për çiklist mund ta shfrytëzojnë skajin e djathtë të rrugës deri në 1 metër”.

Në momentin kur ka filluar automjeti të lë gjurmë të frenimit në rrugë, fillimi i gjurmës nga cepi i rrugës ka qenë 0.19 metra, ka shtuar eksperti Ukshini.

Ai ka thënë se përcaktimi i shpejtësisë së mjeteve bëhet përmes deformimeve në mjete dhe kombinimeve të gjurmëve të frenimit, por meqë video-ingjizimi ishte shtesë është marrë analizimi i shpejtësisë.

Në pyetjen e avokatit Huruglica se a mund të tregoj se a ka pasur lëshime  nga ana e çiklistit, eksperti është përgjigjur se gjatë analizimit është konstatuar se veprimet e ngasësit të biçikletës gjatë procesit të lëvizjes nuk kanë ndikuar në shkaktimin e aksidentit dhe nuk ka pasur lëshime nga i njejti. Aksidenti ka ndodh brenda shenjës në zonën ku lejohet shpejtësia 40 kilometra në orë.

Gjyqtari Sermaxhaj ka njoftuar palët se me që nuk ka kushte për vazhdimin e seancën  gjyqësore për shkak të mungesës së dëshmitarëve, shtyhet seanca me datë 24 nëntor.

Ndryshe, ndaj të akuzuarit Cardash Tarkan Kaya, lënda është veçuar pasi që i njëjti e kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Shpend Isufi më datën 05.07.2018, rreth orës 21:10 minuta, në rrugën publike në fshatin Malishevë, Komuna e Gjilanit ka rrezikuar trafikun, publik duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre, ashtu që duke drejtuar automjetin e udhëtarëve të markës “Land Rover LE Range Rover Sport” në drejtim të Gjilanit, ka vepruar në kundërshtim të nenit 53.1 që ka të bëjë me mospërshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes kushteve atmosferike dhe kushteve të rrugës për ta ndalur automjetin para çdo pengese të paraqitur në trafik – neni 149 ashtu që në vendbanim me të arritur ne afërsi të shtëpisë së Bashkim Halitit në fshatin Malishevë, me pjesën e përparme të anës së djathtë të automjetit, e godet mbrapa në rrotën e pasme biçikletën të cilën e drejtonte tani i dëmtuari Selver Zeneli nga fshati Malisheve komuna e Gjilani.

Tutje, po sipas aktakuzë i pandehuri  Isufi në momentin lëvizjes, të njëjtin e përplasë krejtësisht në anën e djathë jashtë aksit rrugor, duke i shkaktuar te dëmtuarit lëndime të rënda trupore, të cilin disa qytetarë, të lënduarin e dërgojnë ne Spitalin Regional ne Gjilan, nga aty për shkak te gjendjes së rëndë i njëjti transferohet në QKUK në Prishtinë, e që nga koha e aksidentit te shkaktuar e deri më sot, i lënduari gjendet në gjendje – koma pa vetëdije. Ndërsa i pandehuri i sipërshënuar, pas shkaktimit të aksidentit , ikë nga vendi i ngjarjes, del në shtete tjera-Shqipëri, Turqi, Maqedoni, deri më datë 30.07.2018, atëherë kur dorëzohet në stacionin e policisë në Gjilan.

Me çka ka kryer vepër penale “Rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378 paragrafi 8 i KPRK-ës, e dënueshme prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Po ashtu sipas aktakuzës,  me datën, vendin dhe kohën e kryerjes së veprës penale si në dispozitiv të parë i pandehuri Shpend Isufi, pas kryerjes së aksidentit te shkaktuar, i njëjti nuk i ofron ndihmën e nevojshme personit të cilin rëndë e kishte lënduar, por ashtu me një shpejtësi që ishte duke zhvilluar, ikë nga vendi i ngjarjes duke e lënë të lënduarin në gjendje të rëndë dhe pa vetëdije jashtë aksit rrugor. Fillimisht i pandehuri e parkon automjetin në lagjen Dardania, ndërsa largohet nga Kosova dhe ikë dhe del ne Shqipëri dhe Turqi, duke u ndihmuar nga i pandehuri i dytë Gardas Tarkan, në këtë mënyrë i pandehuri me mosveprim e ka lënë të duke mos i dhënë ndihmën nevojshme shëndetësore.

Me çka ka kryer vepër penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”  nga neni 382 paragrafi 1 të KPRK-së, e dënueshme me burgim deri në një (1) vit.

Ndërsa i pandehuri, Cardash Tarkan Kaya me datën, vendin dhe kohën e kryerjes së veprës penale, ashtu si ajo është përshkruar në dispozitiv të kësaj aktakuze i ka dhënë ndihmë kryerësit të veprës penale, në atë mënyrë që pasi i pandehuri i parë e kishte shkaktuar aksidentin në komunikacion rrugorë dhe rëndë e kishte lënduar të dëmtuarin Selver Zenelin, dhe të njëjtin e kishte lënë pa i dhënë ndihmë mjekësore.

I pandehuri Tarkani, thuhet në aktakuz se kishte qenë në të njëjtin automjet dhe kishte pasur dijeni për pasojat e shkaktuara, i njëjti edhe përkundër këtij fakti, e ndihmon të pandehurin që të arratiset, fillimisht në Shqipëri, e pastaj së bashku me të udhëtojnë për në Ankara, ku edhe e vendosë në një hotel, ndërsa vet në ditët në vijim kthehet përsëri ne Kosovë. Në këtë mënyrë i pandehuri me veprimet e veta e ndihmon të pandehurin e parë, për të u larguar nga vendi i ngjarjes dhe Kosova, e ndihmon duke i gjetur strehim në Turqi.

Me çka ka kryer vepër penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale ” nga neni 388 paragrafi 1 i KPRK-ës, e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit./BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se është fajtorë me vendim të formës së prerë.