Fero sërish para gjykatës, deklaron se ishte në xhami në momentin kur u sulmua ish-menaxheri i tij Met Elshani dhe nuk kishe dijeni

HomeShowbiz

Fero sërish para gjykatës, deklaron se ishte në xhami në momentin kur u sulmua ish-menaxheri i tij Met Elshani dhe nuk kishe dijeni

Dëshmitari Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero gjatë deklarimit të tij ka thënë se nuk është në dijeni përse të akuzuarit Shpëtim Cakiqi,

Fero kërkon para për realizimin e albumit, Arbenita e ndihmon me 10 funta!
Fero shpreh ngushëllime pas vrasjes së 30-vjeçarit në Ferizaj
Bexhet Pacolli i ofron ndihmë Adriana Matoshit: Mos harro jam në dispozicionin tënd

Dëshmitari Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero gjatë deklarimit të tij ka thënë se nuk është në dijeni përse të akuzuarit Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi kishin plagosur menaxherin e “On Records”, Mehmet Elshani.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Krasniqi, avokat Haxhi Millaku, se a e din arsyen përse ka ndodhur kjo gjuajtje e armëve në mes të akuzuarit dhe të dëmtuarit Elshani, Shabani tha se nuk i din arsyet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, Shabani ka deklaruar se ditën kritike ka qenë në xhami për të kryer ritet fetare me mikun e tij Ferki Morina dhe disa persona të tjerë dhe se nuk ka pasur ndonjë konflikt me ndonjë nga personat e tjerë, ndërkaq lidhur me plagosjen e ish-menaxherit të tij kishte dëgjuar në lajme.

“Unë jam shku, jam fal dhe pas disa orëve dëgjova që o plagos menaxheri im, Mehmet Elshani, ashtu kam dëgju dhe kam pa në lajme”, tha Shabani.

Ndërsa lidhur me të akuzuarit, Shabani tha se të njëjtit nuk i ka njohur para rastit, por pasi që të njëjtit i ka parë në lajme për rastin në fjalë.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Cakiqi, avokat Hamit Gashi, se a e është në dijeni a ka pasur ndonjë problem me të mbrojturin e tij ditën kritike kur ka qenë në xhami, Shabani deklaroi se atë ditë nuk e ka parë.

“Ndoshta ky o kon në xhami, po unë nuk e kom pa”, tha Shabani.

Tutje, në pyetjen e të akuzuarit Cakiqi, se pasi që kanë dalur nga xhamia më 17 maj 2019, a i kujtohet problemi që kishin pasur ai, i akuzuari Krasniqi dhe një person me nofkën “Dulla”, Shabani tha se nuk i kujtohet.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Krasniqi, avokat Naser Sopjani, se a e ka vizituar ish-menaxherin e tij pas rastit, Shabani tha se pas plagosjes së Elshanit, ka shkuar për vizitë në spital, por pasi që i njëjti ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, nuk i është lejuar vizita.

“Kam shku me vizitu në spital, më doket mbas një jave, se niher e ka pas gjendjen e keqe shëndetësore, nuk më kanë lon me hi, por e di që pas disa ditëve kam shku edhe e kam vizitu”, tha Shabani.

Tutje, në pyetjen e avokatit Sopjani, se a është në dijeni që portalet mediatike kanë paraqitur se shkak i kësaj plagosje ka qenë një mosmarrëveshje e Feros, Shabani tha se ka qenë në dijeni për këto lajme, por sipas tij, ka qenë vetëm arsye e mediave për të ia dëmtuar imazhin.

Në fund, Shabani tha se nuk ka asgjë për të shtuar lidhur me këtë rast, ai shtoi se ditën kritike nuk ka qenë prezent por nëse është e nevojshme do të paraqitet prapë në gjykatë për të dëshmuar lidhur me këtë rast.

“Unë nuk kam qenë prezent kur ka ndodh rasti, nëse është e nevojshme me ardh apet, kom me ardh apet. Unë aq sa di, aq sa mbaj mend do të tregoj”, tha Shabani.

Ndërsa, pyetjen e avokatit Millaku se si e sqaron Shabani thënien e deklaratës së Riza Bajramit, “Fero ka pas një mosmarrëveshje me disa persona, këtë më kanë thënë disa njerëz, qytetar të rëndomtë”, e ka kundërshtuar prokurori Hivzi Bajraktari me arsyetimin se dëshmitari duhet të deklaroj për atë çka ka parë dhe çka ka dëgjuar për momentin që ka qenë në xhami, e më pas ky kundërshtim është aprovuar nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi.

Pas kësaj, avokati Haxhi Millaku kërkoi ballafaqimin e dëshmitarit Shabani me dëshmitarin Riza Bajrami, sipas tij kur dëshmitari është nën betim dhe paraqet fakte dhe rrethana kontradiktore për të cilat është në dijeni të drejtpërdrejt, gjykata apo palët në procedurë mund të bëjnë ballafaqimin e dëshmitarëve.

Pas kësaj, avokati Millaku propozoi që në seancën e radhës në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Ferki Morina dhe Avdullah Islami me nofkën “Dulla”, pasi që sipas tij, të njëjtit kanë qenë dëshmitarë okularë të cilët e kanë parë ngjarjen e që këtë e ka vërtetuar edhe dëshmitari Riza Bajrami.

Ky propozim u mbështet nga të akuzuarit dhe avokatët Sopjani dhe Gashi, ndërsa u kundërshtua nga prokurori Bajraktari me arsyetimin se të njëjtit nuk janë dëshmitarë relevant për këtë çështje penale.

Më pas gjykatës Kuçi mori vendim me të cilin e aprovoi propozimin e avokatit Haxhi Millaku.

Në fund mbrojtja ka kërkuar që të akuzuarve Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi t’iu hiqet masa e paraburgimit ose t’iu zëvendësohet me cilëndo masë tjetër.

Ky propozim është kundërshtuar nga prokurori Bajraktari dhe është refuzuar nga gjykatësi Agim Kuçi.

Pasi që nuk kishte kushte për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, gjykatësi Kuçi e ndërpreu seancën dhe seancat e radhës i caktoi më 16 dhe 22 mars 2022.

Ndryshe, në këtë rast, Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi po akuzohen se kishin tentuar të privonin nga jeta të akuzuarin Mehmet Elshani, ndërsa Cakiqi po akuzohet edhe për një tjetër rast, në të cilin kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit Agon Selmanaj, të cilit i kishte shkaktuar lëndim të lehtë trupor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzë thuhet se derisa Elshani ishte duke shkuar në drejtim të sallonit “Rizza Hair Sallon”, kishin shkuar të akuzuarit dhe kishin filluar të fjalosen me të, ku të tre i kishin nxjerrë armët dhe kishin filluar të shtien në drejtim të Elshanit, i cili për t’u mbrojtur kishte nxjerrë armën e tij dhe kishte shtënë në drejtim të të akuzuarve.

Nga këto të shtëna, një predhë e kishte qëlluar Elshanin në kofshë të këmbës së djathë duke e rrëzuar për tokë dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndërsa të akuzuarit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu, sipas aktakuzës, nga të shtënat me armë të zjarrit, predhat kishin depërtuar edhe në banesën e të dëmtuarit Shaip Latifi duke i shkaktuar dëm në vlerë 95 euro, si dhe në veturën e të dëmtuarit Riza Bajrami, veturën e Besart Hasanit si dhe një tjetër veturë të tipit ‘Audi”.

Për këto veprime, tre të akuzuarit në bashkëkryerje po akuzohen se kanë kryer veprat penale “vrasja e rëndë në tentativë” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa të njëjtit bashkë me të akuzuarin Mehmet Elshani po akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”.

Ndërsa sipas prokurorisë, i akuzuari Shpëtim Cakiqi, më 16 maj 2019, në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë, me dashje i kishte shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarit Agon Selmanaj.

Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Selmanaj kishte qenë duke ecur me vëllanë e tij Ndue Selmanaj, përballë tyre kishin kaluar të akuzuarit Cakiqi dhe i akuzuari Adhurim Krasniqi, ku së bashku me një person të panjohur i kishin nxjerrë armët dhe i kishin repetitur duke ua drejtuar të dëmtuarve dhe kishin filluar të fjalosen me ta.

Në aktakuzë thuhet se në ato momente i akuzuari Adhurim Krasniqi e kishte goditur me grusht në kokë të dëmtuarin Ndue Selmanaj, ndërsa i akuzuari Cakiqi kishte shtënë në drejtim të Agon Selmanajt, duke e qëlluar në këmbën e majtë dhe duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, ndërsa të tre kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Për këto veprime, i akuzuari Cakiqi po ngarkohen me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i akuzuari Adhurim Krasniqi me veprat penale “kanosja” dhe “armëmbajtje pa leje”. /Betimi për Drejtësi/