“Franca ka ndryshuar qasje”, optimizëm për liberalizimin e vizave në gjashtëmujorin e parë

HomeLajme

“Franca ka ndryshuar qasje”, optimizëm për liberalizimin e vizave në gjashtëmujorin e parë

Regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk u largua as në vitin 2021. Ashtu si çdo fillim vit të ri edhe kësaj radhe ka optimizëm së liberalizmi

Arrestohen tre persona, pjesë e grupit kriminal që kryen dhjetëra vjedhje në Prishtinë, Gjilan dhe Ferizaj
Vjehrri dhe nusja nga Malisheva humbin jetën si pasojë e infektimit me coronavirus
Kryediplomatja gjermane në Beograd: Duhet ta kundërshtojmë idenë e ndryshimit të kufijve me forcë

Regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk u largua as në vitin 2021. Ashtu si çdo fillim vit të ri edhe kësaj radhe ka optimizëm së liberalizmi i vizave mund të ndodh në vitin 2022. Udhëheqja e presidencës së BE-së nga Franca po shihet si mundësi ideale për dhënien e dritës së gjelbër për liberalizim të vizave brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2022.

Nga partia në pushtet thonë se ka lëvizje pozitive sa i përket qasjes së Francës për liberalizimin e vizave, ndërsa opozita dhe njohësit e procesit i kërkojnë ekzekutivit të lobojë efektivisht tek shtetet skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni thotë për KosovaPress se disa shtete të BE-së, përfshirë Francën nuk janë më skeptike, siç kanë qenë të kaluarën për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ajo thekson se dikasteret përkatëse kanë bërë punë të jashtëzakonshme për t’i shuar dilemat e vendeve skeptike, sidomos në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Tashmë ka lëvizje pozitive sa i përket qasjes së Francës, sepse ne e dimë se ka qenë një ndër shtetet më skeptike. Mirëpo janë disa shtete që nuk janë skeptike më sa kanë qenë në të kaluarën, të paktën ky ka qenë qëndrimi edhe prej ministrave të linjës. Është duke u bërë një punë e jashtëzakonshme e ministrive përkatëse për t’i shuar ato dilema që Franca i ka pasur në disa çështje të caktuara që një nga to është krimi dhe korrupsioni. Ne kemi parë që së fundmi janë bërë veprime të shumta prej policisë prej MBP-së për ta luftuar krimin dhe korrupsionin. Luftimi i krimit dhe korrupsionit vazhdon me qenë një prej top prioriteteve tona tek i cili po tregojmë që po bëjmë veprime konkrete. […] Kemi intensifikuar dialogimet, takimet bilaterale me Francën, për t’i treguar se ne jemi të gatshëm ta thyejmë këtë barriere që ndërtuar mes shtetesh, sepse po bëhet një punë jashtëzakonisht e madhe në këtë drejtim, kështu pres që ky intensifikim të sjellë rezultat pozitive prej atëherë kur Franca do ta marrë kryesimin edhe po ashtu ta ndërrojë qëndrimin karshi Kosovës”, thotë ajo.

Deputetja e LDK-së, njëherësh kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, thotë për KosovaPress se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe tashmë i mbetet vetëm qeverisë të punojë me vendet skeptike.

“Ne si komision po mundohemi të bëjmë punën ashtu siç duhet që kosovarët sa më shpejtë të lëvizin të lirshëm, pasi jemi i vetmi popull në Ballkan që nuk kemi liberalizim të vizave. Se i kemi plotësuar kriteret që kanë dal nga BE-ja e ka thënë edhe vet Komisioni Evropian, por puna më e madhe i mbetet qeverisë, sidomos Ministres së Punëve të Jashtme dhe ambasadorëve që të lobojë në shtetet skeptike për Kosovën dhe kryeministri të lobojë tek shtetet mike”, deklaron ajo.

Optimist për lëvizje pozitive sa i përket liberalizimit të vizave në vitin 2022 është edhe profesori universitar, Arben Fetoshi.

“Varësisht prej dinamikave që mund ta karakterizojnë BE-në në planin e brendshëm, mendoj se mund të ketë një dakoordim të Gjermanisë dhe Francës për të përfshirë në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave, por kjo jo gjithmonë do të varet. Pasi duhet të kemi parasysh edhe një kontekst tjetër që ka të bëjë me rivalitetin gjermano-francez sa i përket Ballkanit Perëndimor. Edhe këtë duhet ta kemi parasysh për të shpjeguar kontekstin sa i përket liberalizimit të vizave dhe sa i përket qëndrimit në raport me procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Nëse dinamikat e reja në fillim të vitit 2022 do të çojnë në drejtimin të ndryshojnë qëndrimin francez deri më tani hezitues, besoj se nuk ka më asnjë pengesë procedurale që çështja e liberalizimit të vizave të përfshihet në agjendën e Këshillit të BE-së”, thotë ai.

Megjithëse Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave tash e sa vite dhe Parlamenti Evropian vazhdimisht miraton raporte për liberalizim të vizave, një gjë e tillë po bllokohet nga Këshilli i Ministrave të BE-së.