Gjykata rrëzon vendimin e ministres Haxhiu për anulimin e konkursit për noterë

HomeLajme

Gjykata rrëzon vendimin e ministres Haxhiu për anulimin e konkursit për noterë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, me të cilin ishte anuluar kon

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, me të cilin ishte anuluar konkursi për noterë. Kjo pasi është aprovuar padia  e 44 kandidatëve për noterë të ushtruar ndaj këtij vendimit të MD-së.

Në vendimin e siguruar nga Sinjali thuhet se Gjykata ka vërtetuar procesin e provimit për Noterinë, të shpallur më 19 prill të vitit 2019, si i ligjshëm dhe i drejtë.

Gjykata ka marrë këtë vendim me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se e paditura, qoftë në procedurë administrative ose edhe para gjykatës ka vërtetuar se Komisioni për Dhënien e Provimit për Noterinë ka cenuar parimin e ligjshmërisë.

“Kjo për faktin se me asnjë provë nuk është vërtetuar se ky komision ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar me ligjin, nuk është vërtetuar se me zgjedhjen e këtij komisioni nuk është arritur qëllimi sipas ligjit dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe se zgjedhja e tij nuk është vërtetuar se ka qenë në kundërshtim më normat e gjithë pranuara të shkencës apo teknikës dhe nuk ka shkelur parimet themelore të drejtësisë apo arsyes njerëzore.

E paditura ka dështuar të provojë faktin se veprimi administrativ me aktin administrativ të kontestuar me padi, siç përcaktohet në dispozitat e lartcekura, ka qenë i domosdoshëm dhe i përshtatshëm për të arritur qëllimin e përcaktuar ne ligj”, thuhet në këtë aktgjykim.

Kujtojmë se ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shkurt të vitit 2020 kishte marrë vendim për anulimin e provimit të Noterisë, me arsyetimin se procesi i përzgjedhjes së noterëve nga qeverisja e kaluar nuk kishte pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve të përzgjedhur kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.

/GazetaSinjali/