Haxhiu i drejtohet Kurtit: Deputetë e ministra të VV-së më 2020 tërhoqën mjete nga Trusti, pse të mos u mundësohet qytetarëve tash në krizë

HomeLajme

Haxhiu i drejtohet Kurtit: Deputetë e ministra të VV-së më 2020 tërhoqën mjete nga Trusti, pse të mos u mundësohet qytetarëve tash në krizë

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, vlerëson se qasja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me tërheqje

Nga sot, Shqipëria dhe Kosova me pikë të re kufitare
Murati: Financat publike të Kosovës janë kthyer në binarë
Kryetari Alban Hyseni ngushëllon familjen Zeka me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, Shaip Zeka

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, vlerëson se qasja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trusti pensional i Kosovës është gabim. Në një bisedë për Gazetën Online, Reporteri.net, deputeti Haxhiu thotë se gjatë vitit 2020 edhe ministrat edhe deputetët e LVV-së kanë tërhequr para nga Trusti, teksa shton se është e pajustifikueshme që politikanët t’i tërheqin paratë nga Trusti, e këtë mos t’ua mundësojnë qytetarëve të Kosovës, siç konsideron ai “në krizën më të madhe ekonomike”.

Deputeti Haxhiu konsideron se kriza ekonomike nuk kalohet siç e quan ai “me lëmoshë”, me 100 euro një herë në muaj, ku prej dy vitesh në Kosovë ka kriza të njëpasnjëshme, ku përmend atë pandemike, energjetike si dhe ekonomike.

Sipas tij, Qeveria nuk ka ofruar masa për zbutjen e krizës ekonomike, ku ai përmend uljen e TVSH-së si dhe atë të akcizës për produktet e konsumit të përditshem ditor si alternativë për siç thotë ai, “zbutjen e krizës”.

“Qasja e Kurtit është gabim, nuk kalohet kriza ekonomike me lëmoshë me 100 euro një herë muaj pas 2 viteve të krizave të njëpasnjëshme, fillimisht kriza pandemike, pastaj kriza energjetike dhe tani kriza ekonomike. Qeveria nuk ka ofruar asnjë masë për zgjidhjen apo zbutjen e krizës ekonomike, as ulje te TVSH-së as te akcizës për produktet e konsumit të përditshëm ditor. Prandaj qytetarët po kërkojnë t’ju mundësohet tërheqja e mjeteve të tyre nga Trusti. Të kalojnë sot krizën ekonomike me 30% të mjeteve tëTrustit dhe te ruajnë 70% të atyre mjeteve për ma vonë”, vlerëson Haxhiu.

Sot, Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin doli kundër idesë së tërheqjes së parave nga Trusti. Kurti tha se tërheqja e parave në Trust nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.

“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin. Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, ka deklaruar Kurti pasi bëri homazhe te busti i Zahir Pajazitit në Prishtinë.

Tutje, Haxhiu gjatë bidedës me Gazetën Online Reporteri.net, vlerëson se kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti pensional i Kosovës prej 30 për qind është për të kaluar problemin sot, si alternativë për të kaluar krizën ekonomike, teksa shtron nevojën e bërjes së reformës pensionale, ku sipas saj “gjenerata do të paguajë për gjeneratën”.

“Kërkesa e qytetarëve është me kalu problemin sot në këtë krizë ekonomike, për pensionim dhe pleqëri të sigurt për të gjithë duhet të bëhet reforma pensionale, në modelin e pensioneve ku gjenerata do të paguajë për gjeneratën”, shton deputeti Haxhiu.

Megjithatë, në Projektligjin për tërheqjen e këtyre mjeteve nga Trusti pensional, nismë kjo e vetë deputetit Haxhiu, nuk përfshihet rimbursimi i tërheqjes së këtyre mjeteve, pra në rast se do të tërhiqen ato, ku thotë se këtë tërheqje do ta bëjnë ata që kanë nevojë për këto mjete, ndërsa ata që nuk kanë një nevojë të tillë do t’i ruajnë si kursime të tyre në Trustin pensional.

Veç kësaj, deputeti i PDK-së thotë se në vitin 2020 politikanë nga të gjitha partitë politike në Kosovë kanë tërhequr nga Trusti, ku përmend edhe ministra e deputetë të LVV-së, e që këtë e konsideron të pajustifikueshme, pasi sipas tij nëse politikanët i kanë tërhequr këto mjete, pse kjo nuk duhet t’iu lejohet edhe qytetarëve të Kosovës në krizën më të madhe ekonomike.

“Projektligji nuk parasheh rimbursim, mjete do të tërheqin ata që kanë nevojë, ata që nuk kanë nevojë do t’i ruajnë kursimet e tyre. Në vitin 2020 shumë nga politikanë e të gjitha partive politike kanë tërhequr mjetet nga Trusti, përfshirë këtu edhe ministra e deputetë të LVV-së andaj është e pajustifikueshme që politikanët me tërheqë mjetet nga Trusti në vitin 2020 e këtë mos me ua mundësu sot qytetarëve në krizën më të madhe ekonomike”, përfundon Bekim Haxhiu për Gazetën Online, Reporteri.net.

Në vitin 2020, në kohën kur kryeministër i Kosovës ishte Avdullah Hoti, 200 milionë euro ishin tërhequr nga Fondi Pensional i Kosovës, në kuadër të pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.

Gjithashtu ishin plotë 420 mijë kontributpagues të cilët kishin bërë tërheqjen e mjeteve të kursyera të tyre.

Ishte vetë Bekim Haxhiu ai i cili inicioi propozimin ligjor për tërheqjen e kursimeve nga Trusti, ku ditë më parë deklaroi se janë 12 deputetë të shumicës qeverisëse të cilët mbështetin ndryshimet ligjore në Fondin Pensional, për të cilët nuk ka dhënë emra, por ka theksuar disa herë se ky Projektligj do të kalojë, pasi vlerëson se është kërkesë e qytetarëve të Kosovës dhe jo e tij.