“Kam me vdekë dhe nuk kam me harru”/ Familja kosovare përjeton tmerrin në Kroaci, plaçkiten nga hajnat rrugës për në Zvicër

HomeLajme

“Kam me vdekë dhe nuk kam me harru”/ Familja kosovare përjeton tmerrin në Kroaci, plaçkiten nga hajnat rrugës për në Zvicër

Familja Mrasori nga Kosova ka përjetuar tmerrin gjatë rrugës për në Zvicër. Mbrëmjen e së enjtes ata kishin ndaluar për të pushuar në një parking dhe

Në Kosovë nafta më shtrenjtë se në Slloveni, këto janë çmimet atje dhe këtu
Shtohen kërkesat që projektligji për Trustin të dërgohet në Kuvend
Ndahet nga jeta në moshen 47 vjeçare Agron Abdyli

Familja Mrasori nga Kosova ka përjetuar tmerrin gjatë rrugës për në Zvicër. Mbrëmjen e së enjtes ata kishin ndaluar për të pushuar në një parking dhe u tronditën kur në mesnatë dëgjuan zhurmat dhe të bërtiturat e tre personave të maskuar, të cilët kishin hapur me forcë dyert e veturës së tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Kryefamiljari ka rrëfyer për Gazetën Sinjali tmerrin e përjetuar mesnatën e së premtes.

Ai me bashkëshorten e tij, dy vajzat (13 dhe 5 vjeç) dhe djalin (12-vjeçar) ishin nisur nga Kosova, ku kanë kaluar pushimet, për në Zvicër.

Mbrëmjen e së enjtes kanë ndaluar në një parking, 120 km nga hyrja në Kroaci, për të pushuar dhe pak pas mesnate, rreth orës 00:30, janë terrorizuar nga tre persona të maskuar dhe të veshur me të zeza.

Sipas tij, hajnat kanë shpërthyer gomat e veturës së tyre dhe pastaj kanë hapur me forcë dyert e veturës.

Pesë anëtarët e familjes Mrasori janë zgjuar nga të bërtiturat e hajnave, të cilët ua kanë kërkuar atyre paratë dhe stolitë e arit.

Pavarësisht rezistimit të tyre dhe vajit të fëmijëve, hajnat kanë arritur që t’u marrin atyre paratë dhe stolitë e arit, vlera e të cilave, sipas kryefamiljarit, është rreth 20 mijë euro.

Ai ka bërë të ditur se gjatë përballjes me ta, është lënduar gruaja e tij, të cilët dy nga të dyshuarit, ia kanë vendosur bërrylin në fyt.

Pasi që kanë kryer plaçkitjen, ata kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Një shqiptar i cili ka rastisur në parking, ka provuar që t’u dalë në ndihmë dhe t’i ndalojë hajnat, por nuk ia ka arritur.

Mrasori tha për Sinjalin se në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, të cilët ua kanë ndërruar gomat dhe i kanë dërguar ata në stacion policor për të dhënë deklaratë.

Mirëpo, mërgimtari bën të ditur se policia kroate nuk u ka dhënë ndonjë shpresë që rasti i tyre do të zbardhet dhe se hajnat do të kapen.

Gjatë bisedës, ai thotë se zyrtarët policorë e kanë njoftuar se kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla të vjedhjeve dhe se zakonisht, target i hajnave janë familjet me fëmijë.

Familja Mrasori tani janë kthyer të traumatizuar në Zvicër, pa ndonjë shpresë që paratë dhe gjësendet e tyre do t’u kthehen ndonjëherë.

Kryefamiljari u bën thirrje të gjithë mërgimtarëve që kalojnë nëpër Kroaci që të kujdesen dhe të mos bien pre e hajnave.

“Kam me vdekë dhe nuk kam me harru. Le të ruhen mërgimtarët se tmerr ishte për besë. Qysh na ka ndodhë neve, mundet edhe dikujt me i ndodhë”, tha ai për Sinjalin./Gazeta Sinjali/