Katër gjyqtarë i futen garës për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan

HomeLajme

Katër gjyqtarë i futen garës për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan

Kandidatët Agim Ademi, Venhar Salihu, Florije Qerimi dhe Veli Kryeziu janë katër (4) gjyqtarët që i janë futur garës për kryetar të Gjykatës Themelore

Sot bëhet varrimi i afaristit gjilanas Basri Kqiku
Gjysmë të ngrirë, gjenden qytetarët që humbën rrugën për shkak të borës së madhe në Brezovicë
Këmbësori që inskenoi aksidentin ndaj shoferit të BMW-së në Gjilan është me probleme mendore

Kandidatët Agim Ademi, Venhar Salihu, Florije Qerimi dhe Veli Kryeziu janë katër (4) gjyqtarët që i janë futur garës për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Për këta katër kandidatë Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) të premten ka përfunduar intervistat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Komisioni Vlerësues i formuar nga KGJK i cili ka zhvilluar këto intervista ka këtë përbërje: Qerim Ademaj kryetar i Komisioni, Avni Mehmeti dhe Arjeta Sadiku anëtare të këtij komisioni.

Ndryshe, KGJK në takimin e 275-të të mbajtur me 27 janar 2022 kishte shpallur konkursin për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Deri tek shpallja e konkursit kishte ardhur pasi që kryetarit aktual, Ramiz Azizi i skadon mandati me 17 prill 2022.

Ndryshe, kryesuesi Albert Zogaj në atë takim kishte thënë se shpallja e konkursit për këtë pozitë ishte bërë brenda afateve të përcaktuara me rregulloret e këshillit, në mënyrë që të mos ketë asnjë ditë vakante në këtë pozitë.

“Betimi për Drejtësi” më poshtë ka sjellur biografitë e secilit kandidatë për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan, të publikuara në ueb-faqen zyrtare të kësaj gjykate.

Kandidati i parë është Agim Ademi, i cili është gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan. Diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1986 dhe e ka kryer provimin e jurisprudencës në vitin 2002. Praktikën profesionale e ka mbajtur në Odën e Avokatëve të Kosovës nga viti 1990-1991. Në vitin 2006 u emërua si gjyqtar në Gjykatën Komunale të Gjilanit, në të cilën punoi deri në vitin 2012. Nga data 01.01.2013 ai mori detyrën e gjyqtarit në departamentin e përgjithshëm – divizioni penal, ndërsa nga Nëntori i vitit 2015 kalon si gjyqtar në departamentin e krimeve të rënda. Ademi ka punuar gjithashtu edhe si sekretar në Fakultetin e Edukimit në Gjilan nga viti 1997 deri ne 2006. Gjyqtari Ademi njëherit është shef i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Kandidati dytë i cili i është futur kësaj gare, është gjyqtari Venhar Salihu i cili është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil të Gjykatës Themelore të Gjilanit. Venhar Salihu ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2006, kurse Provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 2012/13. Nga janari i vitit 2006 deri në maj të vitit 2008 ai ushtroi detyrën e ass. të avokati në Zyre të Avokatisë, ndërkaq nga maji i vitit 2008 deri në maj të vitit 2015 ka ushtruar detyrën e Asistentit të Lartë Ligjor për Verifikim në Agjencinë Kosovare të Pronës (KPA). Më 19.05.2015 është emëruar si gjyqtarë në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil dhe ende vazhdon ta kryej këtë detyrë. Gjyqtari Salihu njëherët është shef i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Kandidatja e tretë në këtë garë, është gjyqtarja Florije Qerimi e cila është gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Gjilan. Diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1990, kurse provimin e jurisprudencës e kreu në vitin 2011. Praktikën profesionale e mbajti në Gjykatën Komunale në Gjilan në vitin 2001-2002. Ndërsa ka filluar punën si referente në Gjykatën e Qarkut në Gjilan në periudhën 2003 – 2012, e në Gjykatën Themelore në Gjilan nga viti 2013 – 2017 ka punuar Shefe e Zyrës për Financa, Logjistikë MM. Kurse më 31.07.2017 është emëruar gjyqtare në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Kandidati i katërt dhe i fundit i cili i është futur kësaj gare është gjyqtari Veli Kryeziu, i cili është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Kundërvajtje, njëherë shef i këtij divizioni të Gjykatës Themelore në Gjilan. Diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1986, ndërsa provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2010. Praktikën profesionale e ka kryer në Gjykatën Komunale në Kamenicë në vitin 1999 dhe më pas ai punoi si gjyqtar në Gjykatës Komunale për kundërvajtje në Gjilan deri në 2005. Ndërsa nga viti 2005 deri në vitin 2011 ka qenë Kryetari i Gjykatës Komunale për Kundërvajtje në Kamenicë. Gjatë vitit 2012 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje dhe nga data 01.01.2013 morri detyrën si gjyqtar në departamentin e përgjithshëm – divizioni për kundërvajtje të Gjykatës Themelore në Gjilan, detyrë të cilën ende e kryen. Gjithashtu gjyqtari Kryeziu nga viti 1985 deri në 1990 ka punuar si shef i shërbimit pronësor në kuadër të Kuvendit Komunal në Kamenicë.

Shënim: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka monitoruar intervistat e këtyre kandidatëve të cilat janë zhvilluar të premten.