Këshilltari i presidentes së vendit, Vjosa Osmani, Artan Murati, ka bërë të ditur se para disa ditësh, Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumenti
Këshilltari i presidentes së vendit, Vjosa Osmani, Artan Murati, ka bërë të ditur se para disa ditësh, Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për Shtetësinë, prej të cilit do të dalë Ligji i ri për Shtetësinë.
Me anë të këtij ligji, shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci do t’u mundësohet pajisja me shtetësi të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Murati njoftoi se kushti të cilin duhet ta plotësojnë shqiptarët e Kosovës Lindore është qëndrimi në Kosovë të paktën pesë vjet, duke filluar që nga 12 qershori i 1999-ës, dita e çlirimit të vendit.
“Më konkretisht, të gjithë qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët kanë qëndruar në Republikën e Kosovës së paku 5 vite nga data 12.06.1999 deri me datë 31.12.2021, do të kenë të drejtën e fitimit të Shtetësisë bazuar në rregullimin e kornizës ligjore me këtë Koncept Dokument, ndërsa sa i përket kritereve procedurale do të rregullohet me akte nënligjore që nxirren nga Ministria e Punëve të Brendshme”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.
Ai premtoi se shqiptarët e kësaj pjese nuk do të anashkalohen kurrë.
