Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blernad Stavileci, ka ngritur shqetësim për keqqeverisjen Kurti, si pasojë e së cilës Kosova ka
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blernad Stavileci, ka ngritur shqetësim për keqqeverisjen Kurti, si pasojë e së cilës Kosova ka shënuar deficitin më të lartë tregtar me 4.6 miliardë euro.
Ai këto komente i bëri sot në një konferencë për media ku tha se Qeveria po kontribuon aktivisht në thellimin e krizës së qytetarëve të Kosovës.
“Kriza ekonomike po thellohet. Qytetari e familja po varfërohen. Shporta e prodhimeve të konsumit po pakohet. Qeveria dhe pushteti po vazhdojnë të struken dhe ta vështrojnë krizën nga jashtë, pa ndërmarrë masa konkrete ekonomike dhe fiskale më të cilën do ta zbusin këtë rëndim të jetesës së qytetarëve dhe familjeve kosovare”, tha Stavileci.
Stavileci ka treguar se në bazë të dy publikimeve të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës shihet së indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit pësoi ngritje 5.2 për qind në tremujorin e parë 2022 krahasuar me tremujorin e katërt 2021.
“Tregtia e mallrave në vitin 2021 kishte deficit tregtar në vlerë prej afro 4 miliardë euro, që tregon për një vlerë më të lartë me 39.2% krahasuar me 2020. Pra, kemi rekord negativ importesh me 4.6 miliardë euro. Të dhënat e tregtisë së mallrave për importin e Kosovës në vitin 2021 kanë shënuar një rritje vjetore për 42.1% krahasuar me 2020,” ka thënë Stavileci.
Ndërsa ai ka shtuar se Qeveria duhet të reagojë sa më shpejt që gjendja më tutje mos të degradojë
“Meqenëse nuk po ka vizion, më e pakta që mund ta bëjë është që t’i imitojë qeveritë e rajonit dhe ato evropiane që po u dalin në ndihmë qytetarëve me masa konkrete. Secila prej tyre ka përgatitur pako të lehtësimit dhe po zbaton politika e masa kreative dhe të guximshme në përballje me këtë krizë ekonomike. Heqja e TVSH-së dhe akcizës për një periudhë të caktuar, të cilat ne qysh moti i kemi rekomanduar, janë vetëm disa nga veprimet me të cilat do të mund të përmirësohej kjo gjendje. Qeveria nuk e ka pasur fajin për shtrenjtimin e çmimeve në tregjet e jashtme, por ajo ka shumë faj në politikat e brendshme, që s’po e merr as mundin minimal për të bërë zgjidhje”, tha ai.
Ndërsa, Stavileci ka shtuar që Qeveria në vend të dialogut social ka imponuar injorim institucional.
“Të gjitha çmimet po vazhdojnë të rriten, e pagat nuk kanë lëvizur. Jeta çdo ditë e më shumë po shtrenjtohet. Në vend të dialogut social Qeveria ka imponuar injorimin institucional dhe kjo ka sjellë sot më shumë se kurrë pakënaqësinë më të madhe të qytetarëve dhe të sindikatave të cilat po protestojnë vazhdimisht në kërkim të të drejtave elementare dhe të zgjidhjeve për t’i tejkaluar gjithë këto kriza. Derisa ne po flasim në vendin tonë çdo ditë po shohim raporte e vlerësime të reja në lidhje me ekonominë, të cilat do të duhej ta zgjonin nga gjumi pushtetin”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK-së.
Për fund, Stavileci tha se qytetarët meritojë zgjedhje, dhe se këtu nuk ka asnjë pikë dyshimi.