Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka paralajmëruar për rrezikun e mbingarkesës me borxh të ekonomive familjare në Kosovë. Siç thonë ata, me rritjen e
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka paralajmëruar për rrezikun e mbingarkesës me borxh të ekonomive familjare në Kosovë.
Siç thonë ata, me rritjen e vazhueshme të kreditimit nga ekonomitë familjare, e veçanërisht në kohën e fundit, kur bankat janë duke lëshuar më shumë kredi, ajo paralajmëron se është rritur edhe më shumë rreziku i mbingarkesës me borxh të familjeve dhe pamundësisë së tyre për t’i paguar këstet mujore.
Sipas tyre, ngarkesa e akumuluar e borxhit mund të shkaktojë edhe pasoja të tjera të mirëqenies sociale të huamarrësve duke rritur kështu ndjeshmërinë e tyre ndaj rrezikut të varfërisë dhe përjashtimit social.
Në bazë të raportit, me ç’rast BQK-ja ka marrë për studim gjithsej 1,805 mostra, mbingarkesa me borxh për huatë varion nga 27.4 përqind, kur merren për bazë vetëm të hyrat e huamarrësit, ndërsa bie në 11.7 përqind kur merren për bazë të hyrat e gjithë njësisë familjare. Mbingarkesa nënkupton rastet kur niveli i borxhit mujor vetëm për huatë, tejkalon 50 përqind së të hyrave mujore.
Mirëpo, në këtë raport BQK-ja thekson se në vlerësimin e mbingarkesës me të hyra të ekonomisë familjare, për shkak të mungesës së informacionit për borxhin e mundshëm të huave të anëtarëve tjerë të familjes, mund të kemi pasqyrë të nënvlerësuar të nivelit të ngarkesës, andaj, edhe rezultatet e mbingarkesës të publikuara në këtë raport, nuk duhet të interpretohen si vlerësim absolut i gjendjes faktike, por si indikacion i nivelit të përafërt të mbingarkesës së ekonomive familjare me hua në sektorin financiar në Kosovë, i cili konsiderohet të jetë në intervalin ndërmjet rezultateve të lartcekura nga të dy indikatorët (me të hyra të huamarrësit dhe atij me të hyra të njësisë familjare).
Niveli i ngarkesës me borxh rritet me huamarrjen e shumëfishtë
Huamarrësit e shumëfishtë që kanë pasur kredi aktive në institucione të ndryshme, kishin pothuajse dy herë më shumë raste të mbingarkesës me borxh, përkatësisht 40.5 përqind e tyre (22.2 % e ekonomive familjare) ishin të mbingarkuar me borxh, krahasuar me 24.2 përqind të huamarrësve të shumëfishtë që kishin dy e më shumë kredi në institucionin e njëjtë (7.5 % për ekonomitë familjare). Gjithashtu edhe probabiliteti i të qenit në fazë kritike të ngarkesës dhe në gjendje jo-solvente për të paguar detyrimet, ishte dukshëm më i lartë për huamarrësit e shumëfishtë dhe atë në disa institucione.
“Probabiliteti i vonesave të huamarrësve rritet me rritjen e numrit të kontratave kreditore, me ç’rast huamarrësit me katër e më shumë kontrata kreditore kishin më së shumti vonesa”, theksohet tutje në raport.