Kurti u drejtohet serbëve: Mos bini pre e manipulimeve, mos bojkotoni institucionet e Kosovës

HomeLajme

Kurti u drejtohet serbëve: Mos bini pre e manipulimeve, mos bojkotoni institucionet e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje publike qytetarëve serbë të vendit që të ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë, rap

Ndërron jetë papritur punonjësja e Spitalit të Gjilanit, Sahadete Ibrahimi
Alban Hyseni u zotua se do të punojë ndershëm e me përkushtim të lartë për ta bërë ndryshimin e nevojshëm edhe në qytetin e Gjilanit
Gjilan: Arrestohet personi i kërkuar me urdhëresë të Gjykatës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje publike qytetarëve serbë të vendit që të ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka apeluar serbët që të mos bien pre e manipulimeve politike dhe të mos braktisin institucionet e Kosovës.

Sipas tij, ai nuk është kryeministër kundër qytetarëve serbë, por shprehet se Beogradi është kundër tij.

“I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje. Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’i përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik”, shkroi ai në Facebook.

Reagimi i Kurtit vjen pas vendimit të përfaqësuesve politikë dhe institucionalë serbë që të tërhiqen nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Vendimi u mori pas takimit në Zveçan i thirrur nga kreu i Listës Serbe Goran Rakiq me përfaqëuses të serbëve të cilët punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës.

Rakiq njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim. Dorëheqjen e dorëzoi edhe Igor Simiq nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës. Po ashtu edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme në emër të kryetarëve të katër komunave në veri.

Edhe shefi i operacionit rajonal të Mitrovicës Veri, kapiten Aleksandar Filipoviq ka dhënë dorëheqje në emër të punonjësve të Policisë së Kosovës me mesazhin.

Ky vendim erdhi si shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve në targa RKS dhe për suspendimin e drejtorit rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Postimi i plotë i Kurtit:

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Nga 1 nëntori ka filluar dhënia e qortimeve apo vërejtjeve ndaj ngasësve të veturave që bartin tabela ilegale në territorin e Kosovës, trashëgimi ato e regjimit të Milosheviqit. Deri më sot, numri i qortimeve të dhëna është gjithsej 843. Nuk ka pasur asnjë incident dhe nuk është regjistruar asnjë ankesë. Kështu do të vazhdojmë për tri javë, pra deri më 21 nëntor, atëherë kur fillojnë gjobat ashtu siç parashihet me ligj.  Ndërkohë, qytetarët me tabela ilegale KM, PR etj. do të mund t’i konvertojnë ato në legale RKS me lehtësime të mëdha tatimore.

Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje.

Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet.

Me marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999, Serbia ka kapitulluar dhe i ka thënë lamtumirë Kosovës. Nuk ka nevojë të humbim kohë e të vazhdojmë të vonohemi edhe në vitin 2022. Duke e përkrahur Milosheviqin dhe Sheshelin para çerek shekulli e keni lënë Kosovën. Duke e përkrahur Putinin e Lavrovin sot, po e lini Evropën.

I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje. Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’i përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik.

Të gjitha të mirat dhe ju falemnderit,

Albin Kurti