Letrat ngjitëse ‘arnojnë’ marrëveshjen për targat

HomeLajme

Letrat ngjitëse ‘arnojnë’ marrëveshjen për targat

Në pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, shoferët nga të dyja anët e kufirit edhe më 22 prill po qarkullojnë duke përdorur letrat ngjitës

Sot dhe nesër, temperaturat në Kosovë do të shkojnë deri në 37 gradë
Ndeshen dy vetura në Gjilan, njëri nga shoferët përfundon në spital
Aksident trafiku në Gjilan (FOTO)

Në pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, shoferët nga të dyja anët e kufirit edhe më 22 prill po qarkullojnë duke përdorur letrat ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat e makinave të tyre.

Ndërkaq, në rrugën Zveçan-Jarinjë janë parë disa kontrolle policore.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë që kanë vizituar mëngjesin e 22 prillit pikëkalimet kufitare në Merdare, Jarinjë dhe Bërnjak, raportojnë se qarkullimi po vazhdon normalisht dhe situata është e qetë.

Nasko Hodoviq, shofer i një automjeti transportues nga Novi Pazari i Serbisë, i cili mëngjesin e së premtes hyri në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se e kaloi kufirin e Kosovës, njësoj si ditët e mëhershme.

Edhe shoferi i një kamioni nga Rashka, Goran Popoviq, thotë se ka vepruar ngjashëm.

Çfarë ndodhi në Bruksel më 21 prill?

Pas takimit trepalësh – që pasoi takimet dypalëshe me zyrtarët e BE-së – Bislimi deklaroi se Serbia nuk ishte e gatshme për një marrëveshje për targat.

Akuzë për mosgatishmëri për marrëveshje kishte edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq.

Ndërkaq, Bislimi tha se nuk do të ndërmerret asnjë veprim i menjëhershëm dhe se Kosova do ta trajtojë lirinë e lëvizjes, njësoj sikurse Serbia.

“Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet që mund të vënë në rrezik sigurinë në terren”, porositi Lajçak përmes një postimi në Twitter pas përfundimit të bisedimeve.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 prill deklaroi se do të vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje të përhershme për targat, teksa fajësoi Serbinë për mosarritjen e një dakordimi në bisedimet në Bruksel.

“Në ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje. Ajo çka unë mund t’iu siguroj është që Kosova do të jetë palë konstruktive dhe Kosova do të vazhdojë të jetë palë e cila respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane”, tha Osmani.

Pse u vendosën letrat ngjitëse?

Me një masë të ngjashme, shoferët me targa të Kosovës ishin përballur për vite të tëra kur qarkullonin në territorin e Serbisë.

Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 30 shtator u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjatë, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.