Alban Hyseni do ta kishte të pamundur ta fitonte Gjilanin, sikur të mos të bënte aleanca të fshehta, thotë Lutfi Haziri, i cili befasisht u mposht në
Alban Hyseni do ta kishte të pamundur ta fitonte Gjilanin, sikur të mos të bënte aleanca të fshehta, thotë Lutfi Haziri, i cili befasisht u mposht në garën e balotazhit të së dielës. Haziri ka edhe emra për bashkëpunëtorët jo zyrtarë të Hysenit.
Një nga ta, ish rivali i vjetër politik i tij, Qemajl Mustafa.
“Ka qenë aleat prej fillimit me ish-kryetarin e Gjlanit, Qemajl Mustafën, natyrisht që i ka ndihmuar për t’i fituar zgjedhjet”, tha Haziri për Albanian Post.
Përkundër humbjes, Haziri thotë se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga politika.
“Natyrisht që do të merren me politikë dhe do ta bëjmë një analizë pse i kemi humbur zgjedhjet”.
Por, akuzave të Hazirit me sarkazëm iu përgjigjet tashmë kryetari i ri i kësaj komune, Alban Hyseni.
“Me sa di unë Mustafa e ka veç një votë, si gjithë të tjerët”, deklaroi ai për Albanian Post, kur u pyet për akuzat e paraardhësit të tij në komunë.
“Mua më ka ndihmuar vullneti i qytetarëve dhe besimi i tyre, të gjitha subjektet politike kanë qenë bashkë kundër meje”, theksoi Hyseni.
Por, e pranon që gara ka qenë e ngushtë mes tij e Hazirit.
“Është prit me qenë garë e ngushtë, por ne i kemi përmirësuar gabimet e 17 tetorit, pasi kemi targetuar vendet ku s’kemi pas shumë vota”. /AlbanianPost/