Me 13 maj edhe një takim tjetër në Bruksel për targat, pritet të diskutohet edhe çështja e të zhdukurve

HomeLajme

Me 13 maj edhe një takim tjetër në Bruksel për targat, pritet të diskutohet edhe çështja e të zhdukurve

Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet më 13 maj në Bruksel. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës

Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet më 13 maj në Bruksel. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq do të tentojnë të premten të gjejnë një zgjidhje për targat e automjeteve, energjinë në veri të vendit dhe personat e zhdukur.

Takimin për KosovaPress e konfirmojnë nga Bashkimi Evropian dhe zyra e Bislimit, ndërsa njohësit e procesit të dialogut janë optimistë për arritjen e një ujdie mes dy vendeve, pas takimit të javës së kaluar të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Vuçiq në Berlin të Gjermanisë.

Detaje të shumta për takimin nuk kanë dhënë nga zyra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, por vetëm njoftuan për temat që pritet të diskutohen në Bruksel.

“Me 13 maj, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e radhës në Bruksel. Në këtë takim pritet të flitet për temën e targave dhe energjinë”, thotë Klisman Kadiu nga zyra e zëvendëskryeministrit Bislimi.

Nga ana tjetër, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë për KosovaPress se takimi i dy liderëve ballkanikë Kurti dhe Vuçiq me kancelarin gjerman, Olaf Scholz i ka dhënë një dinamik të re dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, tani janë krijuar kushtet në teren që të ketë një marrëveshje përfundimtare për targat e automjeteve, por të bëhet përparim edhe në çështjen e të pagjeturve dhe energjisë në veri.

Ndërsa, njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci thotë për KosovaPress se pala serbe në takimin e 13 majit është e interesuar të ketë disa marrëveshje në paketë në kuadër ujdisë për targat.

Muajin e kaluar dështoi të arrihet marrëveshja për targat e automjeteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq zhvilluan një takim në Berlin, ku kreu qeveritar tha se u diskutua për marrëveshjet e mundshme që do të arrihen në takimin e kryengociatorëve.