Pas 15 vitesh në Gjermani, Sherif Bytyqi vendosi të kthehej në Kosovë për të punuar punën e njejtë që bënte në Gjermani. Ai kudesej atje për rregulli
Pas 15 vitesh në Gjermani, Sherif Bytyqi vendosi të kthehej në Kosovë për të punuar punën e njejtë që bënte në Gjermani.
Ai kudesej atje për rregullimin e kopshteve e të njejtën përvojë e solli edhe në vendlindjen e tij në Drenoc të Klinës.
Me punën që bën ai çdo vit arriti të shtonte numrin e punëtorëve e të hapësirës.
Tani në 16 hektarë tokë ai ka arritur të kultivojë 2 milionë lloje të ndryshme.
“14 vite kam qëndrim në Gjermani, punova në të njëjtin profesion. Në vitin 2000 menjëherë pas luftës, u ktheva në Kosovë dhe fillova me pak punë, kështu gradualisht e zgjerova edhe hapësirën e hektarëve”, tha ai për KTV.
Bujqësia ka qenë traditë edhe e prindërve të tij. E ky ishte motiv që ai të kthehej në Kosovë për të investuar.
“Prindërit i kam pasur bujq, por kanë pas pasuri të mëdha në parcela dhe kur shkova në Gjermani mendova me vete pse nuk po e bëjmë të njëjtën gjë edhe në Kosovë dhe kështu u ktheva për t’i punuar tokat të parëve të mi” , tregon Sherifi.
Ndonëse nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të arrinte këtë sukses, Sheriri thotë se tani kapacitetet e fidanishtes janë rritur dhe synim ka që të jetë një nga eksportuesit më të mëdhenj të fidanëve.
“Kur u ktheva nga Gjermania nuk e kam menduar asnjëherë se kështu do të kem sukses, ia kam lënë kohës dhe shpresoj që kështu të vazhdoj edhe në vitet e ardhshme. Për momentin kam 16 punëtorë, jemi po ashtu unë, vëllai dhe djali im që e bëjmë këtë punë, e duam dhe nuk pushojmë, sepse gjatë tërë vitit jemi në prodhim”, shtoi ai.
Sherifi aktualisht ka marrëveshje me vende të rajonit e të Evropës ku po i eksporton fidanët e kultivuara nga fidanishtja e tij.