Nëse ju duhet me patjetër të bëni rrugën regjionale Gjilan-Ferizaj apo anasjelltas, atëherë bëjeni gjatë ditës, mundësisht, që t’i shpëtoni një tmerri
Nëse ju duhet me patjetër të bëni rrugën regjionale Gjilan-Ferizaj apo anasjelltas, atëherë bëjeni gjatë ditës, mundësisht, që t’i shpëtoni një tmerri të vërtetë.
Disa segmente të saj, prej disa javësh e disa të tjera prej disa muajsh, përngjajnë me një rrugë të keqe arash, ku kalohet veç prej zori.
Segmenti nga udhëkryqi i Cërnicës deri në Partesh ka tre muaj që është gërryer për t’u shtresuar me asfalt dhe nuk është prekur më.
Edhe më keq ka mbetur segmenti Budrigë-Radivojc, ku prej disa ditësh është hequr në tërësi asfalti, është gërryer rruga dhe ende nuk është nivelizuar dhe as asfaltuar.
Mirëmbajtja e rrugëve regjionale është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës.
Riparimi i rrugëve në Kosovë bëhet në mënyrën më të keqe të mundshme. Fillimisht gërryhet asfalti i dëmtuar në tërë gjatësinë e rrugës, ndodh deri në 10-15 km dhe lihet ashtu me javë.
Lëvizja në rrugë të tilla, si kjo Gjilan-Ferizaj, maksimalisht e degraduar ka kosto për vozitësit.
Po ashtu, duhet marrë parasysh që në rrugët regjionale nuk lëvizin vetëm banorët lokalë. /Mediafokus.info