Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se 200 raste të lisë së majmunëve të identifikuara gjatë javëve të fundit jashtë vendeve ku virusi qar
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se 200 raste të lisë së majmunëve të identifikuara gjatë javëve të fundit jashtë vendeve ku virusi qarkullon zakonisht mund të jenë vetëm fillimi.
“Ne nuk e dimë nëse po shohim vetëm majën e ajsbergut ose nëse ka shumë raste të tjera që nuk janë zbuluar ende në komunitete”, tha Sylvie Briand, shefja e parandalimit të epidemisë dhe pandemisë e OBSH-së, në një konferencë të premten.
Që kur Mbretëria e Bashkuar raportoi për herë të parë të infektuarin e parë më linë e majmunëve më 7 maj, rreth 200 raste janë raportuar në vende larg shteteve ku virusi është endemik.
Ministria e Shëndetësisë në Spanjë tha të premten se 98 raste ishin konfirmuar atje deri më tani, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar aktualisht 90 raste të verifikuara. Portugalia ndërkohë ka regjistruar 74 raste të konfirmuara, raporton abcnews.al.
“Ne jemi ende në fillimin e kësaj ngjarjeje,” u tha Briand përfaqësuesve që morën pjesë në Asamblenë Botërore të Shëndetit në Gjenevë.
Lija e majmunëve nuk është e rëndë si sëmundje dhe ka një nivel vdekshmërie 3-6%. Shumica e njerëzve shërohen brenda tre deri në katër javëve. Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë të lartë, nyje limfatike të fryra dhe skuqje të ngjashme me linë e dhenve.
Briand tha se ekspertët po përpiqen të përcaktojnë se çfarë e kishte nxitur këtë “situatë të pazakontë”.
Ajo tha se hetimet paraprake nuk tregonin se virusi që shkakton linë e majmunëve kishte ndryshuar ose pësuar mutacion.