Pas dorëheqjeve, zyrtarët policorë serbë dorëzojnë armët në stacionin policor në veri

HomeLajme

Pas dorëheqjeve, zyrtarët policorë serbë dorëzojnë armët në stacionin policor në veri

Pas dorëzimit të dorëheqjeve, një numër i zyrtarëve policorë serbë të punësuar në Policinë e Kosovës, tashmë kanë filluar të dorëzojnë armët në nën-st

Pas dorëzimit të dorëheqjeve, një numër i zyrtarëve policorë serbë të punësuar në Policinë e Kosovës, tashmë kanë filluar të dorëzojnë armët në nën-stacionin policor të Zveçanit

Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre të dielën, të hënën e 7 nëntorit kanë filluar të dorëzojnë armët në nën-stacionin policor të Zveçanit.

Dorëzimi i armëve dhe fletëdorëheqjeve vjen pas përfundimit të protestës së serbëve në sheshin “Car Lazar” të organizuar nga Lista Serbe.

Po ashtu, përmes një njoftimi Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka pasur dorëheqje të punonjësve të komunitetit serb në pjesën veriore të Kosovës.

Policia e Kosovës gjithashtu ka njoftuar se ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, dhe se të gjitha veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese.

Ndryshe, të shtunën e 5 nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.