Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar hapur se është kundër tërheqjes së një pjese të parave nga Trusti, duke thënë se kjo nuk e zgjedh problemin e qy
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar hapur se është kundër tërheqjes së një pjese të parave nga Trusti, duke thënë se kjo nuk e zgjedh problemin e qytetarëve.
Këtë deklaratë të Kurtit njohësi i ekonomisë, Erton Bega po e konsideron “të mençur”, pasi sipas tij, do të kishte pasoja në gjeneratat e ardhshme e do të dëmtohej edhe pleqëria e personave kontributpagues.
Bega thotë po të lejohej tërheqja e mjeteve do të kishte një kundër efekt e do të pasonte me ngritje të çmimeve edhe më tej
“Atëherë kishim mungesë të qarkullimit parasë në treg dhe duhet të mbulohej kjo hapësirë duke shtuar para dhe u gjet një formë përmes trustit. Sot të veprohet njëjtë kur rrethanat janë të ndryshme edhe efekti do të jetë i kundërt. Do të ishte vendim i mençur që të mos prekeshin kursimet pensionale të qytetarëve sepse kjo do të shkaktonte pasoja për gjenerata të ardhshme dhe njëkohësisht do të dëmtonte pleqërinë e personave kontribut pagues në trust pensional”, tha Bega.
Kurse ish-dekani i Fakultetit Ekonomik, Musa Limani, thotë se Qeveria duhet ta lejojë shfrytëzimin e një sasie të hollash nga Trusti.
Sipas tij, mjetet e Trustit nuk janë fond i përbashkët por janë kursime individuale, prandaj askush nuk ka të drejtë e po ashtu edhe Qeveria që t’i ndalojë kursimtarët që t’i shfrytëzojnë mjetet e tyre në këtë situatë krize.
“Vendimet që i merr Qeveria janë vendime të pavarura dhe janë në kompetencat e tyre prandaj Qeveria merr vendim si t’a shohin të arsyeshme pavarësisht prej reagimeve të personave ose strukturave të ndryshme. Duke marr parasysh nivelin e lartë të çmimeve dhe të ulët të të ardhurave unë mendojë se është një vendim jo i mirë, nuk përkon me çështjen sociale në të cilën ndodhet popullata e Kosovës, normalisht nuk i përgjigjet situatës së rëndë sociale dhe ekonomike me të cilën ballafaqohet popullata”.