Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka bërë të ditur vlerën e koeficientit të pagave, që deri më tani kishte qenë “mister”. Kryeministri Kurti
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka bërë të ditur vlerën e koeficientit të pagave, që deri më tani kishte qenë “mister”.
Kryeministri Kurti ka thënë se koeficientit për këtë vit është 105,ndërsa nga janari i vitit të ardhshëm planifikohet të jetë 110, shkruan Reporteri.net.
Kurti tha se për çdo vit do të shqyrtohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficientëve sipas atyre mundësive.
“Me këtë sistem të ri dhe këto vlera të kompensimeve, ne kemi synuar dhe mbërritur disa objektiva bazë: barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetjes solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë. E reja e këtij sistemi përveç vlerave në klasifikimin e kategorive tek zyrtarët publikë, është se për çdo vit do të shqyrtohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficientëve sipas atyre mundësive. Pas kësaj nuk do të ketë më stagnim të pagave për zyrtarët pafundësisht”, ka thënë Kurti ndër të tjera.
Në arsim, pagat e mësimdhënësve do të sillen prej koeficientit 5.6 për ata të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta deri në 5.8 për mësimdhënës të shkollave të mesme të larta.
Duke e llogaritur me vlerën e koeficientit, mësimdhënësi i shkollës së mesme do të marrë rreth 609 euro pagë, ndërkaq, ai i shkollës fillore, do të paguhet rreth 588 euro.
Paga e mjekëve sipas përllogaritjes së koeficientit 7.4 del të jetë 777€.
Ndërsa, në 12 për doktorët specialistët, 1,260 euro. Kryeinfermieri do të paguhet 672 euro, ndërsa infermierët nga 588 deri në 535.5
Drejtori i përgjithshëm i policisë ka koeficientin 14.5 (1,522 euro), zv.drejtori i përgjithshëm 12.8 (1,344 euro) ndërsa Drejtori i Departamentit në Polici ka 11.2 (1,176 euro). Këto tri pozita paguhen në bazë të funksionit dhe jo të gradës.
Ndërsa koloneli, që është grada më e lartë në polici do të paguhet me koeficientin 10.2 (1,071 euro), nënkoloneli 9.2 (966 euro), majori 8.2 (861 euro), kapiteni 7.4 (777 euro), togeri 7 (735 euro) dhe rreshteri 6.4 (672 euro).
Ndërsa policët që nuk kanë gradë do të paguhen: Polici i lartë me koeficientin 5.9 (619 euro), Polici me koeficientin 5 (525 euro), Polici i ri 4.5 (472 euro) dhe kadeti policor me koeficientin 2 (210 euro).
Në Ushtri, komandanti do të ketë koeficientin 15 apo 1575 euro, ndërsa paga më e ulët do të jetë për rekrutin/kadetin e FSK-së me koeficient 2, që është edhe paga më e ulët në vend, 210 euro.
Rreshteri i FSK-së do të paguhet me 693 euro, tetari apo specialisti me 640,5 euro. Ushtari i klasit të parë do të paguhet 609 euro, ushtari do të paguhet 588 euro ndërsa rekruti apo kadeti i FSK-së do të paguhet vetëm 210 euro në muaj.
Në sistemin e drejtësisë, Kryetari i Gjykatës Supreme do të ketë pagë 1,785 euro, e e deri te Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale – 1,627.5 euro dhe Kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit – 1,627.5 euro.
Kurtit dhe ministrave u rritet paga
Me koeficientin e ri, Kryeministrit Albin Kurti do t’i rritet paga për 285 euro. Kurti i cili deri më tani, ka marrë pagë bruto rreth 1 mijë e 500 euro në muaj, por tash pritet që të paguhet më shumë.
Vlera e koeficientit është 105, ndërsa koeficienti për pagën e kryeministrit është 17, dhe në bazë të përllogaritjes, del se Kurti tash do të paguhet 1 mijë e 785 euro.
Njëjtë do të paguhet edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ndërsa Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila ka koeficientin më të lartë 18, do të ketë një pagë prej 1,890 eurosh.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe ministrat kanë koeficientin e njëjtë, 16.4, do të kenë pagën 1,722 euro.
Reagimet e para:
Sekretari i kësaj sindikate Ymer Ymeri tha se pajtohen me këtë vlerë të koeficientit, meqë sipas tij është arritur qëllimi i SBASHK-ut.
Ai thotë se ky koeficient, është i papranueshëm.
“Qeveria e arrogancës, veç arrogancë di të prodhoj. E tillë është edhe vlera e koeficientit. Ndoshta edhe vlerën e koeficientit e kanë llogaritur me pagën qe meritojnë ministrat dhe kabinetet, por jo edhe me profesionalizmin e sektorit publik dhe inflacionin qe e ka goditur vendin.
Koeficienti i marrëzisë prej 105 euro është i papranueshem dhe veç marrëzi do të prodhoj”, shkruan ai.
Me vlerën e koeficientit për pagat e zyrtarëve publikë, është shprehur i pakënaqur kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.
Zeqiri ka paralajmëruar edhe reagime.
Koeficienti prej 105 ka nxitur edhe reagimin e opozitës.
Abdixhiku ripërsëriti se LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125.
“Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.
Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë lëshuar seancën e Kuvendit në shenjë pakënaqësie.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se shprehin zhgënjimin e tyre për këtë koeficient, për të cilin tha se është një koeficient I mjerimit dhe se sipas tij, demotivon të gjithë të rinjtë e të rejat që duan të jenë pjesë e administratës.
“Si grup parlamentar kërkojmë nga qeveria e Kosovës që ta rishqyrtojë edhe njëherë këtë çështje, sepse e thellon edhe më shumë krizën tonë”, tha Tahiri.
Seancën e lëshuan edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Kjo Qeveri që glorifikon krimin, që mbron korrupsionin e Martin Berishajt, që rrit tatimin ndaj qytetarëve dhe nuk merr asnjë masë që lehtëson jetën e qytetarëve të Kosovës, nuk mund të presësh që të ketë zgjidhje për punëtoritë e sektorit publik”, u shpreh shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi./Reporteri.net/