Rizvanolli për krizën energjetike: Sikur të kthehesha prapa nuk do të bëja asgjë ndryshe

HomeLajme

Rizvanolli për krizën energjetike: Sikur të kthehesha prapa nuk do të bëja asgjë ndryshe

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar së në muajin gusht të vitit të kaluar kanë qenë të vetëdijshëm për krizën energjetike, mirëpo g

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar së në muajin gusht të vitit të kaluar kanë qenë të vetëdijshëm për krizën energjetike, mirëpo gjatë muajit tetor kanë ardhur shkresat e para institucionale për krizën elektrike gjatë muajve të dimrit.

Në komisionin hetimor për krizën energjetike, Rizvanolli tha se kanë bërë gjithçka çka ka qenë e mundur për menaxhim dhe sikur të kishte kthim prapa, nuk do të bënte asgjë ndryshe. Para deputetëve, ajo tha se në muajin tetor kishin skenarët për përballimin e krizës energjetike, porse siç tha ajo, rënia e bllokut të “Kosovës B” kishte ndërruar rrjedhën, pasi u shtua nevoja për import të energjisë elektrike.

Në këtë periudhë, ministrja tha se qëllimi kryesor i tyre ka qenë furnizimi me energji elektrike dhe përballueshmëria e çmimeve të energjisë nga ana e qytetarëve.

“Kemi bërë gjithçka çka ka qenë e mundur të bëhet. Sikur të ktheheshim edhe një herë vitin e kaluar, asnjë gjë nuk do të bëja ndryshe. Thjesht mundësia e cilido shteti për të bërë më shumë në një situatë të tillë është tejet e kufizuar. Nuk di që ka ndonjë shtet në Evropë që ka mbetur i paprekur dhe ka kaluar krizën mirë. Ka qenë një situatë kur kërkesa e ka tejkaluar ofertën, çmimet kanë qenë tejet e larta dhe të gjithë jemi përballur me këtë. Dikush më mirë, dikush më keq e ka kaluar krizën, varësisht prej asaj sa ka pasur kapacitete të gjenerimit dhe varësi nga importi. Në rastin e Kosovës kapacitetet e gjenerimit i kemi të tilla dhe kërkesa për import është rritur, sidomos gjatë muajve të dimrit dhe kjo domosdoshmëri do të thotë se pashmangshëm kemi qenë të prekur”, tha ajo.

Ministrja Rizvanolli, tha se kanë qenë të vetëdijshëm që dimri do të jetë i vështirë, mirëpo nuk ka pasur parashikime se kriza energjetike do të jetë e paprecedent.

“Siç e thash edhe më herët, ne kemi parë kur çmimet kanë filluar të ngritën në Evropë dhe situata ka filluar duke u përkeqësuar. Vështirësia ka tejkaluar parashikimet, nëse flasim për muajin gusht ka qenë një periudhë kur çmimet kishin filluar të rriteshin në Evropë, por ende ka qenë brenda suaza të normales do të kisha thënë, më të larta se normalja, por jo diçka e jashtëzakonshme dhe paprecedent siç kemi pasur rastin në muajit në vijim. Kemi qenë të vetëdijshëm që dimri do të jetë i vështirë, por jo aq i vështirë, pasi në atë kohë as vlerësimet e ekspertëve dhe pritjeve në Evropë nuk kanë qenë për këso krize”, theksoi ajo.

Gjatë raportimit, ministrja tha se Kosova ka menaxhuar krizën më mirë se vendet e rajonit, derisa tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë subvencionuar më shumë import të energjisë elektrike.

Me dy shtetet, ministrja tha se kanë diskutuar për bashkëpunim për tejkalim të krizës energjetike, madje siç tha ajo, me Maqedoninë e Veriut është diskutuar shitja e thëngjillit në këmbim të energjisë elektrike.

Krahas këtyre, ministrja tha se ende nuk është bërë disbursimi i 90 milionë euro për subvencionim të energjisë elektrike.