SBAShK-u pas miratimit në parim të Projektbuxhetit: Greva përshkallëzohet në dhjetor nëse vazhdon injorimi i kërkesave

HomeLajme

SBAShK-u pas miratimit në parim të Projektbuxhetit: Greva përshkallëzohet në dhjetor nëse vazhdon injorimi i kërkesave

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar përshkallëzim të masave sindikale pas datës 4 dhjetor nëse Qeveria e K

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar përshkallëzim të masave sindikale pas datës 4 dhjetor nëse Qeveria e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë injorimin e kërkesës së tyre për përfshirjen e kostos së Ligjit të Pagave në Ligjin për Buxhet të vitit të ardhshëm.

Koordinatori i SBAShK-ut, Ymer Ymeri ka thënë për Telegrafin se kanë kërkuar takime me anëtarët e Komisionit për Buxhet e Financa si dhe me shefat e Grupeve Parlamentare të partive politike, por nga asnjëra palë nuk kanë marrë përgjigje.

“Ne i jemi drejtuar edhe Komisionit për Buxhet edhe Financa për takim para se të miratohet Projektligji për Buxhetin, e ata sot e kanë miratuar, neve nuk na kanë takuar, po ashtu ju kemi bërë shkresë edhe shefave të Grupeve Parlamentare që edhe me ta të bisedojmë, që të bëjmë plotësim-ndryshim të Projektligjit të Buxhetit 2022, që të përfshihet edhe kostoja e Ligjit të Pagave por nuk kemi takime”, tha Ymeri.

Ai tutje shtoi se paralajmërimi i një greve të përgjithshme që është bërë për në muajin janar të vitit të ardhshëm, mund të bëhet në dhjetor nëse institucionet vazhdojnë t’i injorojnë.

“Paralajmërimi për datën 4 dhjetor që e kemi bërë qëndron, dhe nëse injorohemi tërësisht atëherë paralajmërimi për grevën e përgjithshme mund të kaloj nga janari që është planifikuar për në dhjetor. Menjëherë pas 4 dhjetorit të fillojmë me përshkallëzim të grevës nëse injorohen kërkesat”, tha koordinatori i SBASHK-ut, Ymer Ymeri.

Të njëjtën kërkesë e kanë edhe nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës të enjten do të marrë vendim rreth mbajtjes së grevës e mund të ketë edhe masa më radikale, nëse deri atëherë nuk marrin përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se do të dërgojnë edhe njëherë kërkesë Qeverisë për t’i përfshirë në proces të hartimit të Projektligjit për Paga.