Sot Dita e Evropës, Kosova e vetmja që feston e pushon

HomeLajme

Sot Dita e Evropës, Kosova e vetmja që feston e pushon

Kosova edhe pse nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, në listën e festave zyrtare e feston 9 majin, Ditën e Evropës. Për këtë ditë në shtetin më të

Ndahet nga jeta Ali Syla
Alarmante: 18 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit, konfirmohen edhe 2 mijë e 295 raste pozitive
Pronarët e autoshkollave duan rritjen e çmimit

Kosova edhe pse nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, në listën e festave zyrtare e feston 9 majin, Ditën e Evropës.

Për këtë ditë në shtetin më të ri evropian edhe pushohet, madje edhe nëse Dita e Evropës qëllon të jetë ditë vikendi, ajo zëvendësohet me një ditë mospune në fillim të javës.

Këtë vit kjo festë i ka rënë ditën e hënë, pra ditë pune, por administrata shtetërore nuk punon, nuk punojnë as shkollat apo universitetet, e gjithashtu as shumë qendra mjekësore të nivelin primar.

Përveç Luksemburgut që këtë festë e ka vendosur si shtetërore në vitin 2019, por në këtë vend ndodhen shumë institucione të BE-së, Kosova është vendi i vetëm në Evropë që festë zyrtare e ka këtë datë, madje pa qenë fare anëtare e BE-së e as pa pasur së paku, liberalizim të vizave.

Sa i përket festimit të kësaj dite, festë e kanë vetëm të punësuarit në vendet anëtare të BE-së që punojnë në institucionet e Bashkimit Evropian.

Ligji i Festave Zyrtare në Republikën e Kosovës përshinë njëmbëdhjetë (11) festa zyrtare me dymbëdhjetë (12) ditë pushim (dy ditë të Vitit të Ri, 1 dhe 2 janar). Në mesin e këtyre festave, janë edhe: Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (9 prill); Dita e Punëtoreve (1 maj) dhe Dita e Evropës (9 maj).

Aktivitetet që zhvillohen për Ditën e Evropës

Shtëpia e Evropës në Kosovë, e mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka përgatitur aktivitete të shumta të gjelbra dhe digjitale, për të shënuar Ditën e Evropës 2022. Koncerte, punëtori, diskutime dhe të tjera, janë vetëm disa nga ngarjet e përgatitura për të shënuar Ditën e Evropës.

Më poshtë, lista e plotë e ngjarjeve, që do të mbahen sot më 9 maj.

Art i Rrugës – E ardhmja e gjelbër dhe transformimi digjital

Aktivitetet e Javës së Evropës 2022, fillojnë me ngjyrosjen e njërës prej hyrjeve kryesore të qytetit të Prishtinës. Për dhjetë ditë me radhë, Prishtina do të mirëpres artistë të njohur ndërkombëtarë, të cilët së bashku me artistë vendorë, përmes ngjyrës dhe artit në rrugë, do t’i japin jetë qytetit, me mesazh të veçantë për një të ardhme të gjelbër dhe digjitale.

Dita e lëvizshmërisë të së ardhmes

Ditën e Evropës 2022 do ta hapim së bashku në dy rrugët kryesore të Prishtinës, bashkë me Ambasadorin e BE-së Tomash Sunjog, dhe ambasadorët e vendeve tjera anëtare, ku do të argëtohemi dhe do të lëvizim të lirë pa makina dhe ndotje.Prandaj, ejani me më të dashurit tuaj dhe shijoni lëvizjen me biçikleta apo trotinetë elektrikë të cilat do të jenë në dispozicionin tuaj.

E ardhmja e gjelbër përmes Teknologjisë AR

E ardhmja është e gjelbër dhe digjitale! Në Ditën e Evropës, Shtëpia e Evropës në Kosovë dhe BONEVET kanë përgatitur një ngjarje fantastike virtuale për ju.Ejani në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë dhe përjetoni si asnjëherë më parë burimet kryesore të energjisë së ripërtëritshme te paraqitura pëmes animacioneve të ndryshme dhe teknologjisë AR (Augmented Reality).

Mini ekspozitë: E ardhmja e gjelbër

Ekspozita “E ardhmja e gjelbër” e organizuar në bashkëpunim me “BONEVET” në Ditën e Evropës, është mundësi e shkëlqyer për të gjithë ju që dëshironi të mësoni më shumë për burimet e energjisë së ripërtëritshme, përmes punimeve të ndryshme të krijuara nga nxënësit e “BONEVET”. Ejani në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, përkrahni inovatorët e rinj të teknologjisë dhe mësoni më shumë për energjinë e gjelbër.

Punëtoria e krijuesve të së ardhmes

Shtëpia e Evropës dhe BONEVET organizojnë punëtori të teknologjisë për fëmijët e moshës 7-11 vjeç. Përgjatë punëtorisë në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Arte dhe Matematikë (STEAM), fëmijët do të mësojnë përmes robotëve mBot dhe gjuhës koduese Scratch, se si të krijojnë punime nga imagjinata e tyre.

Kuiz diturie: E ardhmja e gjelbër dhe digjitale

Pjesëmarrësit të ndarë në ekipe prej tre personash, do të testojnë njohuritë e tyre për energjinë e gjelbër dhe teknologjinë, si dhe do të garojnë për të fituar tri çmimet kryesore.

Ceremonia hapëse e Chopin Piano FEST Prishtina

Njëri ndër festivalet më të rëndësishme të muzikës klasike në Kosovë, Chopin Piano FEST Prishtina, hapet këtë vit më 9 maj në Ditën e Evropës, me koncertin e pianistit të famshëm botëror Martin Garcia Garcia, dhe përfundon më 8 qershor, duke sjellur para publikut kosovarë më shumë se 15 koncerte, masterklase, punëtori, gara për instrumentistë dhe kompozitorë, dhe aktivitete të tjera kulturore. E veçantē tjetër e edicionit të sivjetmë të Chopin Piano FEST Prishtina, është edhe pjesëmarrja e festivalit në programin SYNERGY të mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes programit Creative Europe.

Por çfarë është 9 maji, që njihet si Dita e Evropës?

Në një fjalim historik të mbajtur në Paris në vitin 1950, Robert Schuman, asokohe ministër i Jashtëm i Francës, shpalli idenë e tij për një mënyrë të re bashkëpunimi në Evropë, që do ta bënte të paimagjinueshme rikthimin e një lufte midis kombeve të kontinentit.

Schuman propozoi që anëtarët themelues të komunitetit – Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu – do të bashkonin prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut dhe të krijonin një treg të përbashkët duke hequr taksat e importit dhe eksportit.

Ideja ishte pjesërisht me bazë ekonomike, propozimi i Schumanit vinte vetëm pesë vite pas fundit të Luftës së Dytë Botërore e cila la pas pasoja shkatërrimtare në kontinentin Evropian.

Por ishte edhe politike. Ideja që të ndërthuren interesat politike të Francës dhe Gjermanisë do të ulte rrezikun e një konflikti të mundshëm midis tyre në të ardhmen.

Marrëveshja ku u shpalosën idetë sesi do të drejtohej komuniteti u firmos në Paris më 1951 dhe hyri në fuqi një vit më pas.

Gjashtë vendet themeluese thelluan integrimin ekonomik me krijimin e Komunitetit Ekonomik Evropian dhe nënshkrimin e Traktatit të Romës në 1958.

Akti i Vetëm Evropian i 1985 vendosi objektivat për krijimin e një tregu të vetëm, ndërsa Traktati i Mastrihtit në 1992 i çeli rrugën Bashkimit Evropian, asokohe me 12 shtete anëtare.

Që atëherë, BE është zgjeruar me 28 vende në 2013 dhe u tkurr në 27 pas largimit të Britanisë.