Teatri Shqiptar i Shkupit prezantohet me shfaqjen “Nyjat” në festivalin “Talia e Flakës” – mirëpritet nga publiku

HomeLajmeKulturë

Teatri Shqiptar i Shkupit prezantohet me shfaqjen “Nyjat” në festivalin “Talia e Flakës” – mirëpritet nga publiku

Festivali i Dramës Shqipe "Talia e Flakës 2023", në natën e dytë ka sjellur para audiencës së kultivuar gjilanase, shfaqjen "Nyjat", prodhim i Teatrit

Sot hapet festivali i dramës shqipe “Talia e Flakës 2023 ”
Vit i bukur, por i vështirë – rrëfimi emocionues i Adriana Matoshit
Sporti e kultura, sukseset kryesore të Kosovës gjatë këtij viti

Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2023”, në natën e dytë ka sjellur para audiencës së kultivuar gjilanase, shfaqjen “Nyjat”, prodhim i Teatrit Shqiptar të Shkupit, tekst i autorit Refet Abazi.

Në fakt drama e autorit Abazi, “Nyjat”, është vënë në skenë nga regjisori Kushtrim Bekteshi, me një kastë të gjërë aktorësh, kryesisht nga ansambli i këtij teatri, përfshirë aktorin Bislim Muçaj nga Prishtina.

Fabula e shfaqjes flet për ‘nyjet’ në fatet e personazheve; luftën mes dritës dhe errësirës, të mirës dhe të keqës si dhe në aspektin metafizik – në nyjen mes Zotit dhe djallit, duke pasqyruar një pamje të trishtë e komplekse të realitetit që po e jetojmë, në të cilin realitet fatet e personazheve janë të atakuara skajshmërisht nga rrethanat e imponuara jetësore, ku herë-herë nuk arrijnë të ruajnë balancin e harmonisë shpirtërore në përballje permanente me të vërtetën dhe veten e tyre.

Në aspektin strukturor, brenda kësaj drame të autorit, ndjehet “lufta” e pakompromis në mes të mirës dhe të keqes, dritës dhe errësirës, luftës që manifestohet në dy rrafshe: atë individual të secilit personazh, si dhe një rrafshi pothuajse metafizik mes Zotit dhe djallit – apo më saktë mes Ustait dhe Predikuesit, si dhe gjithë atij kompleksitetit që përfaqësojnë dy personazhet kryesore.

Martesa dhe divorci; tradicionalja dhe modernia; realiteti dhe iluzioni; profesionalizmi dhe ambicja e sëmurë; shpirtërorja dhe materialja; vlerat dhe antivlerat; ‘blerja’ dhe ‘shpëtimi’ i shpirtërave – të gjitha këto tema të rrafshit real dhe metafizik që i lëvron drama, e që shqetësojnë përditshmërinë tonë, janë trajtuar e pasqyruar në shfaqje, e cila është sjellur para publikut me një gjuhë të realizmit magjik në shprehjen artistike, duke ngjallur asociacione të qarta për publikun e sotëm, si dhe duke ngritur pyetje të shumta për jetën dhe aktualitetin.

Sipas sinopsisit të shfaqjes, apo përshkrimit në vija të trasha të dramës në veçanti dhe realizimit skenik në tërësi, Ustai, që në dukje është një mbledhës hedhurinash, endet nëper rrugët e një qyteti me qëllim që t’u ndihmojë njerëzve, të cilët, të dhënë pas karrierës dhe të mirave materiale e kanë humbur lumturinë.

 

Në këtë “mision”, ai është në luftë të vazhdueshme me qëllimet e errëta të predikuesit, i cili pasqyrohet si personifikim i djallit, e i cili, duke qenë shumë i pasur dhe i pushtetshëm, përpiqet që t’i skllavëroj njerëzit pasi ua nuhat ambiciet e sëmura për para e pushtet dhe në këtë mënyrë ua ‘robëron shpirtërat’.

Në këtë ‘garë gjahu’ të blerjes dhe shpëtimit të shpirtrave që zhvillohet mes Ustait dhe Predikuesit, shpalosen fatet e personazheve të tjerë të dramës, fate që ndërthuren me njëra-tjetrën.

Genti, pasi ka bërë seks me Lean, e kupton se asgjë emocionale nuk ka ndodhur mes tyre, por e gjitha ka qenë vetëm një nevojë momentale e Leas për ta harruar burrin e saj Drenin, me të cilin janë duke përjetuar një krizë të thellë bashkëshortore pas lindjes së birit të tyre. Në anën tjetër, Dreni – një kardiolog me profesion, e dashuron ‘marrëzisht’ Lean dhe nuk dëshiron që ta humbasë për asnjë çmim!

Fabula e shfaqjes së realizuar zhvillohet përmes një linje kontinuele graduale skenike, me ç’rast e ëma e Drenit – Zana, përveç që duhet të kujdeset për nipin e saj, është e detyruar të mbajë peshën e pleqërisë dhe sëmundjes së sklerozës së burrit, Bedriut, (Bislim Muçaj), i cili jeton mes realitetit dhe humbjes së kujtesës dhe është në konflikt të pakompromis me mentalitetin e moderuar të gjeneratës së birit të tij dhe me fenomenet e kohës së sotme ku vlerat tradicionale të familjes janë harruar.

Pas marrjes së pozitës së shefit në zyrën për çështje juridike, Genti në shenjë hakmarrjeje e largon Lejlën nga puna. E lënë në rrugë, Lejlës i vjen në ndihmë njeriu që e ka shpëtuar në fëmijëri – Ustai, i cili fshehtas e ka ndjekur gjatë gjithë kohës dhe tani ia lë në trashëgimi gjithë tapitë e pronës së tij dhe misionin e shpëtimit të njerëzve dhe drejtësisë, meqë ai e ndjen se lufta e tij me

Predikuesin ka arritur në një pikë vlimi ku shumë shpejtë mund të ketë edhe pasoja tragjike për jetën e tij.

 

Predikuesi, meqë pas shumë përpjekjesh (edhe me ndërmjetësimin e Gentit) nuk arrin t’i thyejë bindjet e Ustait që të heq dorë nga tapitë e pronës së tij dhe nga misioni i tij për të qenë shembull i mosnënshtrimit, e ekzekuton Ustain në barakën e tij, duke e shfrytëzuar si mashë Gentin. Mirëpo, Predikuesi vonë e kupton se me vrasjen e Ustait nuk ka përfituar asgjë, meqë tapitë e pronës tani i trashëgon Lejla dhe ajo si juriste me përvojë do ta vazhdojë luftën dhe misionin e Ustait. E meqë Genti tanimë është i papërdorshëm për qëllimet e Predikuesit, ashtu siç ai e ka ngritur në pozitë, ashtu edhe e fundosë. Në ndërkohë, Lea përfundimisht e braktis Drenin, edhe përkundër përpjekjeve të tij për ta shpëtuar martesën. Ndërsa Zanës dhe Bedriut u ngelet barra e përkujdesit për nipin e tyre – djalin e Drenit dhe Leas.

 

Edhe pas gjithë këtyre ‘nyjave’ që lidhen në fatet e personazheve, në një trajtë tjetër zëri dhe misioni i Ustait vazhdon të ‘kumbojë’ si onomatope në rrugët e qytetit, për ta zgjuar ndërgjegjen e njerëzve dhe për t’i shpëtuar shpirtërat e tyre.

 

Pas shfaqjes u organizua debati tradicional, në të cilin u ngritën çështje të ndryshme për t’u diskutuar e mbarështruar nga pjesëmarrësit prezentë në panel, e të cilave iu dha përgjigje nga Josif Papagjoni, prezenca e të cilit doemos i ka dhënë tretmanin meritor festivalit të dramës “Talia e Flakës” e rrjedhimisht edhe tërësisë së manifestimit “Flaka e Janarit 2023”.

 

E përgjigje të pyetjeve të ndryshme të shtruara në debat iu dha edhe nga ana e drejtorit të Teatrit Shqiptar të Shkupit, Adem karaga, lidhur me ecurinë bashkëpunuese të teatrove shqipe në trekëndshin Prishtinë-Tiranë – Shkup, në funksion të stimulimit dhe avancimit të Dramës Kombëtare në hapësirën mbarëshqiptare, i cili u theksua si imperativ i domosdoshëm i aktualitetit teatral shqiptar.

 

Autor i tekstit dramatik, “Nyjat” është Refet Abazi, regjisor Kushtri Bekteshi, skenograf Betim Zeqiri e Kostumografe: Emira Ymeri, ndërsa muzika është realizuar nga Trimor Dhomi.

 

Në shfaqja janë paraqitur një numër relatisht i madh i kastës së aktorëve, Adem Karaga, Fisnik Zeqiri, Bislim Muçaj, Teuta Ajdini, Amernis Nokshiqi, Osman Ahmeti, Sabina Memishi, Mentor Kurti, Ibrahim Xhemaili, Hetem Etemi, Rrahman Ramadani, Abedin Alimi, Erdi Xhemaili.

 

Festivali i Dramës “Talia e Flakës 2023”, vazhdon me programin e paraparë në ditën e tretë, të marten, me shfaqjen “Toka e shpirtërave të trazuar”, realizuar nga “Artpolis” Prishtinë, për të vijuar më pas me shfaqjen “Burrneshat” bashkëprodhim i Qendrës “Multimedia” e Teatrit “Oda”, si dhe shfqjet “Babai dhe Babai” nga “Integra”; e “Pak pakt” nga Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” – Tiranë, e cila do të shënoj njëherit fundin e edicionit të shtyllës mbase kryesore të Manifestimit “Flaka e Janarit 2023”, Festivalit të Dramës “Talia e Flakës…”.