Vetëm 1200 biznese aplikuan në ATK për të subvencionuar rritjen e pagave për punëtorë

HomeLajme

Vetëm 1200 biznese aplikuan në ATK për të subvencionuar rritjen e pagave për punëtorë

Vetëm 1 mijë e 212 biznese deri më tani kanë aplikuar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për t’i subvencionuar shteti 50 për qind të rritjes s

Zbulohen pasojat që COVID lë në tru: Dëmtime që zgjasin 20 vite
“O ka me të myt oj lopë”, zbardhen detaje nga rasti i 5 policëve që dyshohet se rrahën qytetarë për maska
Largohet edhe i moshuari i fundit, mbyllet zyrtarisht qendra “Orenda”

Vetëm 1 mijë e 212 biznese deri më tani kanë aplikuar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për t’i subvencionuar shteti 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat për 3 muajt e parë. Këto biznese kanë kërkuar mbështetje për rritje të pagave për rreth 15 mijë punëtorë.

Sipas ATK-së, në Kosovë janë rreth 100 mijë biznese aktive dhe mbi 300 mijë të punësuar të deklaruar, prej tyre 220 mijë vetëm në sektorin privat. Kjo i bie se vetëm 1 për qind e bizneseve kanë aplikuar për këtë masë nga pako e mbështetjes. Megjithëse, kjo pako nuk ishte parë si shume atraktive nga njohësit duke kërkuar mbështetje pa kushte edhe për punëtorët e sektorit privat, njëjtë siç është vepruar me ata të sektorit publik.

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës(ATK), Ilir Murtezaj u ka bërë thirrje bizneseve në vend që ta shfrytëzojnë këtë masë e cila buron nga pakoja e fundit për përballje me inflacionin.

Ai tha se secili biznes që ka rritur pagat e punëtorëve nga shtatori e këtej, dhe dëshiron të përfitojë nga mbështetja e qeverisë, mund të aplikojë në platformën EDI deri më 20 dhjetor.

“ATK vazhdon të mbështesë implementimin e masave të Qeverisë së Kosovës në drejtim të përkrahjes të komunitetit të bizneseve, në këtë rast edhe shoqërisë në përgjithësi. Edhe kjo masë mbështetet në drejtim të krijimit të mundësisë së aplikimit të bizneseve për të përfituar nga kjo masë për punëtorët në rastet kur ka ngritje të pagave të tyre. Deri në këto momente kur po flasim kemi mbi 1 mijë e 200 aplikime për rreth 15 mijë të punësuar apo saktësisht 1 mijë e 212 aplikime për 14 mijë e 930 punëtorë. Këto aplikime pastaj do të verifikohen dhe do të disbursohen mjetet kur të vërtetohet se i plotësojnë të gjitha kriteret e parapara me vendim të qeverisë. Afati për aplikim është deri më 20 dhjetor”, tha ai.

Drejtori Murtezaj beson se edhe 10 ditë sa kanë mbetur afat për të përfituar nga rritja e pagave do të shtohet edhe numri i bizneseve. Megjithatë ai arsyeton edhe nevojën për rritjen e pagave për punëtorë.

“Mbi 300 mijë është numri i punëtoreve të deklaruar në ATK, janë rreth 80 mijë të sektorit publik, ndërsa pjesa tjetër të sektorit privat. Në rastin konkret nëse i referohemi numrit të aplikimeve sa janë deri tani 1 mijë e 212 aplikime, por besoj duke pasur parasysh praktikat tona biznesore, por edhe si popull që jemi, zakonisht veprimet tona i lëmë për ditët e fundit, atëherë le të kuptohet që pritjet janë që të ndodhin aplikimet edhe gjatë ditëve në vijim më të shtuara. Nga këtu ne bëjmë apel që të shfrytëzojnë këtë të drejtë secili biznes për rritjen e pagave sepse kjo masë e qeverisë është me qëllim që të rritet përkrahja ndaj punëtorëve, pasi që inflacioni e ka bërë të domosdoshme që të ketë një lëvizje në këtë drejtim. Kështu që kjo përkrahje e qeverisë për tre muaj radhazi nxitë rritjen e pagave në sektorin privat. Se sa do të jetë reagues në këtë drejtim komuniteti i biznesit, kjo mbetet në përgjegjësinë e secilit biznes. Gjithsesi, edhe pa pasur iniciativa të qeverisë, imponohet nevoja e ngritjes së pagave, duke parasysh edhe trendin e mungesës së fuqisë punëtore në sektorë të ndryshëm, në këtë rast me automatizëm paraqitet nevoja që të ketë ngritje të pagave me qëllim që të sigurojnë punëtorë për tregun e tyre”, theksoi ai.

Ndërsa, sa i përket të hyrave tatimore për 11 muaj të këtij viti, drejtori i ATK-së, Murtezaj ka thënë se kanë inkasuar 673.5 milionë euro, ndërsa së bashku me kontributet pensionale janë mbi 890 milionë euro.

Sipas tij, në raport me vitin paraprak, ka një rritje prej mbi 120 milionë euro apo 21.9 për qind.

“Sa i përket të hyrave tatimore, këtë vit, në periudhën 11-mujore kemi arritur që të inkasojmë 673.5 milionë euro, ndërsa së bashku me kontributet pensionale janë mbi 890 milionë euro. Në raport me vitin paraprak, kemi një rritje prej mbi 120 milionë euro apo 21.9 për qind. ATK po ashtu ka arritur të tejkalojë edhe të gjitha parashikimet, pra edhe planin e fillimvitit, por edhe rishikimin. Kështu për 11 muaj kemi 15.5 milionë euro të hyra më tepër apo 2.4 për qind. Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të këtij viti dhe pritjet tona janë që të tejkalohet plani i rishikuar i të gjithë vitit. Dhe në të njëjtën kohë ne të përgatitemi pastaj edhe me implementim të planit të ardhshëm për vitin 2023”, theksoi Murtezaj.

Sipas drejtorit të ATK-së, këtë vit është ulur edhe niveli i evazionit fiskal.