Vrasja në Gjilan, arrestohen tre persona të dyshuar

HomeLajme

Vrasja në Gjilan, arrestohen tre persona të dyshuar

Tre persona janë arrestuar si të dyshuar për ngjarjen tragjike që tronditi Gjilanin mbrëmë, ku pas një përleshje të armatosur mbeti i vrarë 22-vjeçari

Tre persona janë arrestuar si të dyshuar për ngjarjen tragjike që tronditi Gjilanin mbrëmë, ku pas një përleshje të armatosur mbeti i vrarë 22-vjeçari, Egzon Rafuna, ndërsa u plagos 29-vjeçari, Valdrin Halimi, nga fshati Pogragjë i kësaj komune, raporton Gazeta Sinjali.

Policia njofton se në këtë rast kanë qenë të involvuar gjashtë persona, të cilët kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit.

“Si pasojë e plagëve të marra nga shkëmbimi i zjarrit, një mashkull kosovar  ka ndërruar jetë, kurse një tjetër mashkull kosovar është plagosur. I plagosuri është dërguar në tretman mjekësorë në QKUK”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur një pistoletë dhe shtatë gëzhoja të kalibrave 7.65 dhe 9 mm, të cilat janë konfiskuar në cilësi të provave materiale.

Trupi i pajetë i 22-vjeçarit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërkaq, me urdhër të prokurorit, tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje./Gazeta Sinjali/