Zgjedhjet në Veri, KQZ thërret mbledhje të jashtëzakonshme

HomeLajme

Zgjedhjet në Veri, KQZ thërret mbledhje të jashtëzakonshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, anëtari i KQZ’së,

SBASHK paralajmëron greva më 2 prill nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, kërkon tu paguhen edhe nga 100 euro shtesë mësimdhënësve
Masat e reja kundër COVID-19 të propozuara nga ministri Vitia
Nuk miratohen masat e emergjencës për energji elektrike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, anëtari i KQZ’së, Arianit Elshani.

Ky takim vjen pas tensioneve të fundit në veri lidhur me mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të jashtëzakonshme; megjithatë, ende nuk dihet arsyeja.

Elshani theksoi se KQZ është në përgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë të komunave në Veri si dhe ato për kuvende komunale.

“Për shtyrje nuk mund të vendosë KQZ, ne jemi në përgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve të 18 dhe 25 Dhjetorit”, tha Elshani.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë mbrëmë se KQZ-ja do t’i tregojë presidentes Vjosa Osmani se si është situata, e më pas ajo procedon tutje.

“Është KQZ ajo e cila tregon se si është gjendja në terren, ajo i raporton Presidentes, e më pas presidentja i thërret partitë politike në takim dhe aty si Vetëvendosje tregojmë qëndrimin tonë. Aty zgjedhjet mund të mbahen, me Njësi Speciale të Policisë mund të mbahen dhe asgjë nuk ndodhë, askush nuk mund të bëjë asgjë”, tha Konjufca në RTV Dukagjini.

Kurse Presidentja Osmani, ka kërkuar edhe raport prej institucioneve të sigurisë para se të merret një vendim i tillë.

Bekim Kupina, këshilltar i Presidentes në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas një vlerësimi të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja.

“Vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike. Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja.

Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, Presidentja Osmani do t`i ftoj subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, ka thënë Kupina për Reporteri.net.

Ndryshe, ndërkombëtarët kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit”.

Kërkesë të njëjtë kanë bërë edhe gjermanët.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. ka thënë se tashmë është e qartë që nuk ka kushte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve më 18 dhjetor.

“Jam dakord me kolegun tim amerikan që zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e qartë se situata aktuale nuk është e favorshme për mbajtjen e tyre tani”, ka shkruar Rohde.